Një tas porcelani që vlejti… 25 milionë euro.-

Një enë jashtëzakonisht e rrallë porcelani e dinastisë Qing, u shit më 3 prill në një ankand në Hong Kong për 25 milionë euro, njoftoi shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”.

Me një diametër prej 14,7 centimetrash, ky tas delikat është ngjyrosur me kombinim teknikash kineze dhe perëndimore ku janë pikturuar edhe lule narcisi, që shfaqen rrallë në porcelanet kineze.

Ky objekt u ble nga një klient anonim brenda pesë minutash për 24.69 milionë euro, shkruan atsh. “Ky është padyshim ekzemplari më i bukur i këtij lloji”, deklaroi Nicolas Chow, presidenti i degës aziatike të “Sotheby’s”. Megjithatë, kjo vlerë e jashtëzakonshme nuk përbën një rekord për një qeramikën kineze.

Një tas njëmijë vjeçar i dinastisë Song, që është shitur për 32 milionë euro, mban rekordin që prej tetorit. Ena e fundit e porcelanit e shitur, ishte përdorur nga perandori Kangxi në vitet 1720. Ai u punua në një prej atelieve perandorake në Qytetin e Ndaluar të Pekinit nga një ekip i vogël artizanësh, të ndihmuar nga jezuitë të ardhur nga Europa.