7 Maji 2023

Bisedimet për të lejuar eksportin e grurit të prodhuar nga Ukraina duket se nuk kanë prodhuar rezultat. Këmbëngulja e Turqisë dhe e Kombeve të Bashkuara nuk kanë bindur Rusinë që të lejojë kalimin e anijeve me drithëra përmes Detit të Zi.

Madje Moska ka paralajmëruar se më 18 maj do të heqë dorë nga marrëveshja e vitit të shkuar, e për këtë si argument ka sjellë sanksionet e vendosura për ndalimin e drithërave të prodhuara në rusi dhe të plehrave kimikë.

Sipas një dokumenti të siguruar nga Reuters, muajin e kaluar Rusia u tha përfaqësuesve të qendres koordinuese se nuk do të autorizojë kalimin e asnjë anijeje të re, nëse operatorët nuk garantojnë që transiti do të bëhet deri më 18 Maj, “në datën kur pritet të mbyllet”.

Prej verës së shkuara Ukraina ka paraqitur çdo ditë një listë të anijeve që do të autorizohen.

Pas miratimit, ato inspektohen nga zyrtarët pranë Turqisë përpara se të udhëtojnë në një port ukrainas të Detit të Zi nëpërmjet një korridori humanitar detar për të mbledhur ngarkesën e tyre dhe për t’u kthyer në ujërat turke për një inspektim përfundimtar.

Sipas të dhënave të Qendrës së Përbashkët Koordinuese, aktualisht është vetëm një anije që është autorizuar për inspektim dhe 25 të tjera janë në pritje. Po ashtu janë 13 anije në portet ukrainase, ku pesë ishin nisur transit drejt Ukrainës dhe dy janë duke u kthyer për në Turqi.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshjen e eksportit të grurit në Detin e Zi vitin e kaluar në korrik për të ndihmuar në trajtimin e krizës globale të ushqimit që është përkeqësuar nga lufta e Moskës në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, Rusia pranoi një marrëveshje tre-vjeçare në të cilën OKB-ja ra dakord të ndihmonte në përpjekjen për të hequr çdo pengesë për eksportet e saj të grurit dhe plehrave. Ndërsa këto eksporte ruse nuk i nënshtrohen sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit të Ukrainës në Shkurt të vitit 2022, Moska thotë se kufizimet mbi pagesat, logjistikën dhe sigurimet janë një pengesë për dërgesat.

Nga OraNews