Nga Jurgis Çyrbja, Rrahman Rrahja te djali i Aqif Rakipit, ja kush fshihet te lista e PS. Socialistët kandidojnë edhe…

10 mars 2021

Lista e kandidatëve të Partisë Socialiste “fsheh” brenda saj dhe emra të përfolur më parë për drejtësinë.

Selia rozë nuk arriti edhe kësaj radhe që të paktën emrat që kanë dalë në përgjimet e prokurorisë, apo familjarë të deputetëve të përfshirë në akte penale, të mos ishin më pjesë e listës së Partisë Socialiste.

Deputeti Jurgis Çyrbja, i 3-ti në qarkun e Durrësit dhe Ilir Ndraxhi, i 5-ti në këtë qark, kanë dalë në përgjimet e prokurorisë në dosjen “Avdylaj”.

Po ashtu, edhe deputeti i Krujës, Rrahman Rrahja, i 6-ti në listën e Durrësit, i denoncuar se kishte bërë presion në Komisariatin e Fushë-Krujës kundër arrestimit të djalit të tij, i cili kishte rrëmbyer dhe kërcënuar një shtetase.

Gjithashtu, në listën e Partisë Socialiste figuron edhe djali i ish-deputetit të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi.

Në listën e kandidatëve të qarkut të Tiranës, kryetari i Partisë Socialiste ka vendosur si kandidatin e 30-të, Ornaldo Aqif Rakipin.

Djali i ish-deputetit të PDIUsë është vendosur në listë mbi Eljo Hyskon, deputetin dhe kreun aktual të FRESH-it.

Ornaldo Rakipi është i datëlindjes 29.01.1994 dhe sipas ekstraktit të Gjendjes Civile, ai figuron votues në Njësinë Bashkiake numër 5 në Tiranë. Aqif Rakipi ishte ndër deputetët që iu hoq mandati nga ligji i dekriminalizimit.

Ai fitoi mandatin në qarkun e Elbasanit, konkretisht në zonën e Peqinit, me siglën e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet. Por influencën e tij ish-deputeti Rakipi e ka treguar edhe në qarkun e Elbasanit.

Sajmir Hasalla, i 5-ti në listën e këtij qarku, ish-kryetari i Bashkisë së Peqinit, është bashkëshorti i mbesës së Aqif Rakipit. Gjithashtu, në listën e Partisë Socialiste janë përfshirë edhe 7 deputetët të opozitës parlamentare, të cilët e bënë funksional Parlamentin shqiptar pas djegies së mandateve nga partitë opozitare.

Një nga emrat surprizë ishte ai i deputetit Halit Valteri, i cili do të kandidojë për deputet nën siglën e PS-së dhe është renditur i 35-ti në qarkun e Tiranës.

Gjithashtu, në listën e Tiranës është edhe Ylli Shehu, që renditet në listë i 24-ti. Ndërkohë, në qarkun e Fierit do të kandidojë Nimet Musai dhe Robert Bitri, deputetë të opozitës nga listat e LSI-së. Në Korçë, nën siglën e socialistëve do të garojë edhe minoritari Vasil Sterjovski.

Në Dibër kandidon për PS-në edhe ish-deputetja e LSI-së, Aurora Mara. Në vendin e 10-të të listës së PS-së për qarkun e Elbasanit garon Enver Roshi, që erdhi gjithashtu nga LSI-ja. Por në listën e Partisë Socialiste janë edhe dy ish-ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Nasip Naço, ish-ministri i Drejtësisë renditet i 4-ti në qarkun e Beratit. Ndërsa Lefter Koka, ish-ministri i Bujqësisë së LSI-së, është i 7- ti në listën e Durrësit. Listës së PS-së në Shkodër i është bashkuar edhe Frrok Gjini, demokristian, kunati i Nard Ndokës, i cili edhe ai kandidon në qarkun e Shkodrës për Partinë Demokratike.

Gazeta Panorama