Nënkryetari i PD Gjirokastër bën publik emrat që kanë firmosur për 11 Dhjetorin: – Formularët janë plotësuar nga 67% e delegatëve

1 Dhjetor 2021

Dega e Partisë Demokratike në Gjirokastër ka publikuar ditën e sotme listën e 100 delegatëve, të cilët do të marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar të datës 11 dhjetor.

Nënkryetari i PD-së në këtë degë, Beqir Gjika, i shoqëruar dhe nga anëtarë të Kryesisë së PD-së në Gjirokastër, ka lexuar në prani të kamerave emrat e 100 firmëtarëve për Kuvendin e thirrur nga lideri historik i PD-së Sali Berisha.

Gjika bëri me dije se janë 67% e delegatëve me të drejtë vote që kanë firmosur formularët për Kuvendin e datës 11 dhjetor.

Sipas tij ishin 39 delegatë të cilët nuk kanë pranuar të firmosin, ndërkohë që 12 të tjerë ndodhen në emigrim.

“Nga 151 delegatë që ka lista kanë firmosur 100 veta. 67%, në emigracion 12 persona dhe nuk kanë firmosur 39 persona”, tha Gjika.

Gazeta Panorama