11 Tetor 2026

Një nënë ulur në fron, me fëmijën të mbështetur në prehër. Një pamje e thjeshtë, pothuajse e përditshme, por që prej më shumë se dy mijë e pesëqind vjetësh vazhdon të na flasë me gjuhën e përjetshme të dashurisë.

Kjo statujë e vogël prej terrakote, e datuar rreth viteve 600–500 p.e.s., i përket kulturës etruske dhe thuhet se vjen nga Gela, në Siçili. Sot ajo ruhet në koleksionet e Muzeut J. Paul Getty, të cilit iu shit në vitin 1971 nga Royal Athena Galleries në Nju Jork.

Por përtej datës, prejardhjes dhe historisë së saj muzeale, kjo figurë mbart diçka që nuk matet me kronologji.

Vetë froni qiellor i jetës i mbrujtur me baltë, i cili shkrepëtin diejve të përjetësisë.

Një nënë dhe një fëmijë.

Dy trupa të lidhur jo vetëm nga gjaku, por nga ajo marrëdhënie e mistershme që e bën nënën strehë dhe fëmijën vazhdim të saj. Fëmija nuk është thjesht i ulur në prehrin e saj, ai duket sikur është ende pjesë e trupit amësor, sikur prehri të ishte një tjetër formë e barkut ku jeta gjen mbrojtje.

Në këtë terrakotë të lashtë, arti nuk kërkon të bërtasë. Nuk ka heroizëm, betejë apo madhështi të jashtme. Ka vetëm afërsinë njerëzore. Dhe pikërisht aty qëndron fuqia e saj.

Mijëra vjet më parë, një dorë anonime mori baltën, këtë material të thjeshtë që toka ia jep njeriut, dhe i dha trajtën e një nëne. Pastaj i dha një fëmijë. Dhe në atë çast, balta pushoi së qeni vetëm tokë, u bë kujtesë, u bë mision, sakrificë dhe vetë hyjnia e jetës.

Terrakota ka diçka të veçantë. Ajo lind nga toka dhe, pasi kalon nëpër zjarr, bëhet dëshmi e kohës. Është një material që duket sikur e njeh më mirë se çdo tjetër ciklin e ekzistencës: tokë, dorë, zjarr, kohë, pasion dhe mesazh. Dhe kjo nënë me fëmijën në prehër duket sikur ka ardhur prej vetë tokës për të na kujtuar se edhe dashuria njerëzore është një nga format më të lashta të mbijetesës sfiduese.

Ndoshta kjo është arsyeja pse figura na prek ende.

Sepse civilizimet ndryshojnë, gjuhët zhduken, tempujt rrënohen, perandoritë bëhen pluhur dhe emrat e shumë prej atyre që dikur jetuan mbi këtë tokë treten në harresë. Por dora e një nëne mbi fëmijën nuk ka nevojë për përkthim.

Ajo kuptohet në çdo epokë.

Në fytyrën e kësaj nëne nuk kemi nevojë të kërkojmë një portret individual. Ajo është më shumë se një grua e një kohe të largët. Është figura arketipale e mëmësisë, ajo prani që njerëzimi e ka njohur përpara se të kishte libra për ta përshkruar dhe përpara se filozofia të gjente fjalët për ta shpjeguar.

Dhe fëmija në prehrin e saj?

Është ndoshta simboli më i hershëm i vazhdimësisë, jeta që i besohet jetës.

Një skulptor i panjohur, rreth njëzet e pesë shekuj më parë, nuk e dinte se një ditë kjo vepër do të kalonte në duart e koleksionistëve, në sallat e galerive dhe më pas në një muze të madh. Por ai, ose ajo, la pas diçka më të qëndrueshme se emri: një çast njerëzor të shpëtuar nga harresës.

Dhe brenda saj, gjithë historia e dashurisë njerëzore që nuk ka reshtur kurrë së linduri.

Përgatiti: Albert Vataj