Në shkollën “Emin Duraku” mësimi zhvillohet me dy turne! Janë shpenzuar 50 mln euro tek “Edit Durham” dhe nuk është shtuar asnjë klasë

28 Maji 2027
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho shprehet se në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, nxënësit vijojnë të zhvillojnë mësim me dy turne, pavarësisht se sipas saj qytetarët e Tiranës kanë paguar për 10 vite taksën e arsimit, nga e cila janë mbledhur rreth 70 milionë euro.
Ajo shprehet se edhe pse janë shpnezuar rreth 50 mln euro tek ‘Edit Durham’ nuk është shtuar asnjë klasë, madje janë ulur ato ekzistuese.
“Kjo është shkolla “Emin Duraku”, ku nxënësit vazhdojnë të bëjnë mësim me dy turne, edhe pse qytetarët e Tiranës kanë paguar për 10 vite taksën e arsimit, nga e cila janë mbledhur të paktën 70 milionë euro, por ende vazhdohet me 2 turne.
Tek “Edit Durham” janë shpenzuar rreth 50 milionë euro dhe jo vetëm që nuk janë shtuar klasat, por janë ulur edhe ato ekzistuese. Miliarda lekë të paguara nga qytetarët, ndërsa fëmijët vazhdojnë mësimin me turne.
Arsimi europian që propagandohet ka rënie drastike në cilësi, është sfilitës për fëmijët dhe prindërit dhe me më shumë kosto për ta”, thuhet në reagimin e Erisa Xhixhos.
