BE per Edi Ramën: – 32 kushtet europiane pritet të sjellin ndryshime të…

28 Maji 2026
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duket se ka mbetur përfundimisht peng i 32 kushteve të prera të vendosura nga Brukseli. Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE e mbajtur dy ditë më parë zhveshi totalisht propagandën e qeverisë, duke e përballur Tiranën zyrtare me një realitet tejet të ashpër. Evropa kërkon me ngulm rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, dhënien fund të pandëshkueshmërisë dhe respektimin e plotë të pavarësisë së SPAK-ut. Mburoja politike ndaj zyrtarëve të lartë duhet të bjerë menjëherë, përndryshe procesi i anëtarësimit të vendit rrezikon të bllokohet pa afat.
Ky mesazh i prerë shihet si një goditje direkte ndaj mbrojtjes që Partia Socialiste po i bën ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Ballukut. Ish-zv/kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës po hetohet në mënyrë mjaft intensive nga Prokuroria e Posaçme për përfshirje të dyshuar në abuzime të rënda dhe tendera korruptivë në sektorin e rrugëve. Burimet bëjnë me dije se përpjekjet e SPAK-ut për të ecur përpara me masat shtrënguese ndaj saj janë ndeshur deri tani me një “mur” të fortë refuzimi politik nga mazhoranca.
Socialistët kanë zvarritur qëllimisht dhe kanë tentuar të bllokojnë kërkesat për heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete në Parlament. Megjithatë, Brukseli e ka bërë tashmë të qartë se nëse SPAK kërkon autorizim për arrestimin e saj, kryeministri nuk mund të përdorë më kartonët e shumicës për ta shpëtuar. Përballë këtij presioni dhe nevojës jetike për raportin pozitiv të IBAR-it, Edi Rama raportohet se ka bërë pazarin e radhës me ndërkombëtarët. Në këmbim të avancimit të integrimit, kreu i qeverisë ka vendosur të japë “kokën” e Ballukut, duke e lëshuar atë përfundimisht në duart e drejtësisë së re.
Presioni i Brukselit dhe lëkundjet e fuqishme në kabinetin qeveritar
Por pikërisht plotësimi i këtyre 32 kushteve të forta pritet të sjellë shumë shpejt ndryshime rrënjësore dhe spostime të rëndësishme në kabinetin qeveritar. “Siç ju kam paralajmëruar tashmë ne jemi një ekip basketbolli dhe do të ketë ndërrime”, mësohet të ketë thënë Rama me deputetët socialistë disa javë më parë. Një nga emrat e parë që po përflitet më së shumti për largim nga ekzekutivi është ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Po ashtu, lëkundje të forta ka edhe për pozicionin e zv/kryeministres Albana Koçiu, e cila mësohet se nuk pranon të firmosë më as vendimet e Këshillit të Ministrave të Ramës. Një tjetër dështim i pafalshëm konsiderohet ai i ministrit Andis Salla në dikasterin e Bujqësisë, sektor që ka shënuar vetëm prapambetje. Sipas zërave brenda mazhorancës, e vetmja meritë e mbetur e Sallës është miqësia e tij e ngushtë me vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën.
Në këto kushte krize, kryeministri po mendon të rikthejë në ekzekutiv figura të njohura politike për të stabilizuar situatën e rënduar. Ndërkohë që pritet largimi i ministrave të dështuar, ekipit të ri qeveritar mund t’i bashkohen sërish emra si Bledi Çuçi apo Elisa Spiropali. Ky riorganizim total tregon se presioni i Bashkimit Evropian po detyron Ramën të bëjë sakrifica të mëdha politike për të mbajtur pushtetin. Mbetet për t’u parë se si do të reagojë vetë Balluku përballë këtij skenari ku po përdoret si monedhë shkëmbimi për procesin e integrimit.
