Muzeu Etnografik i Elbasanit ruan dëshmi nga jeta dhe krijimtaria e Isuf Myzyrit

13 Gusht 2026
Figura e Isuf Myzyrit zë një vend të rëndësishëm në trashëgiminë muzikore shqiptare. Në Muzeun Etnografik të Elbasanit, vizitorët kanë mundësinë të njihen nga afër me jetën dhe krijimtarinë e mjeshtrit të muzikës qytetare. Siç është bërë me dije nga institucioni, këtu është ekspozuar një kënd i veçantë me dokumente, sende personale origjinale, tekste këngësh dhe objekte të tjera që dëshmojnë kontributin e tij në muzikën qytetare. Muzeu Etnografik i Elbasanit shprehet se zëri i Isuf Myzyrit nuk ishte thjesht këngë, ishte shpirti i Elbasanit.

Isuf Myzyri
“Usta Isuf Myzyri (1881-1956) është një nga figurat më të shquara të muzikës popullore qytetare shqiptare. Me krijimtarinë e tij ai la pas dhjetëra këngë, të cilat vazhdojnë të këndohen edhe sot, duke u bërë pjesë e pandarë e identitetit kulturor të Elbasanit. Në Muzeun Etnografik të Elbasanit është ekspozuar një kënd i veçantë kushtuar mjeshtrit të madh, ku vizitorët mund të shohin nga afër dokumente, sende personale origjinale, tekste këngësh, jakucen e tij etj, dëshmi autentike që na sjellin më pranë jetën dhe veprën e këtij artisti të paharruar.

Isuf Myzyri me orkestren e kengëve popullore
Ju ftojmë të vizitoni Muzeun Etnografik të Elbasanit dhe të njiheni me trashëgiminë e çmuar që Usta Isuf Myzyri i la Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Historia jeton aty ku ruhet kujtesa”, thuhet nga muzeu Etnografik në Elbasan.Muzeu Etnografik i Elbasanit ndodhet në një shtëpi karakteristike me çardak e ndërtuar në shekullin XVIII. Shtëpia është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në 15 janar 1963, duke u dalluar për arkitekturën e veçantë dhe ndër më të bukurat në llojin e vet në trevën e Elbasanit.
