Misteri i Da Vinçit, Kryevepra: Shpëtimtari i Botës 450mln dollarëshe që u mbajt e fshehur. –

Nga: Jonathan Jones  – The Guardian

Në maj të 2008-ës, disa nga ekspertët më të mëdhenj qëndronin rreth një këmbaleci,  në një studio,  mbi sheshin “Trafalga”. Objekti, të cilin ishin ftuar ta këqyrnin, në një departament të konservimit në Galerinë Kombëtare, ishte një pikturë në një panel prej druri lajthie. Shfaqej një burrë flokëgjatë e me mjekër,  që vështronte drejt përpara me një dorë të ngritur në shenjë bekimi, ndërsa me tjetrën mbante një sferë të tejpashme.“Ka një përzierje mes të qenit entuziast dhe të mos mbërthyerit prej tij”, thotë Martin Kemp,  një historian i njohur arti, i cili ishte atëkohë, përballë pikturës. “U mundova të kisha një qasje të tipit: “Nuk mund të jetë në rregull.” E megjithatë emocioni në  atë studio ishte ngjitës.” Piktura, kishte “praninë” , ndjeu Kempi dhe për këtë nuk pati mospajtim.

Ankandi.

Atë ditë, një pikturë e harruar prej kohësh u vërtetua si kryevepra e humbur e Leonardos,  “Salvator Mundi” ( nga latinishtja Shpëtimtari i Botës). Tre vjet më vonë, në nëntor të 2011-ës, ky portret i Krishtit u zbulua për të parën herë në Galerinë Kombëtare, në ekspozitën madhështore të Leonardos. Gjashtë vjet pas kësaj, u bë piktura më e kushtueshme e shitur në ankand, kur u shit në shtëpinë e ankandit “Christie’s” për një shumë marramendëse prej 450.3 milionë dollarë. Më pas, muajin e shkuar, ndodhi diçka trazuese. Salvator Mundi u ble nga Christie’s, për Luvrin e Abu Dabit. Zbulimi i tij i planifikuar për datën 18 shtator, do të qe një moment i rëndësishëm. Por në fillim të shtatorit, u shty në mënyrë të beftë dhe të mistershme. “Detaje të mëtejshme do të bëhen të ditura së shpejti”, thuhej në deklaratën zyrtare. Nuk ka pasur lajmërime të mëtejshme dhe hetimet e mia u ndeshën me një ridërgim të deklaratës. Kemp pranon se nuk ka dijeni.

Megjithëse çekiçi i ankandit goditi, kori i skeptikëve po krijonte pasiguri rreth “Salvator Mundi”. A ishin gënjyer ata ekspertë të Galerisë Kombëtare? Një i brendshëm e përmblodhi situatën mjegullt: “Nuk është shumë e mirë”. Versione mbi prejardhjen dhe historinë e tij të ndërlikuar kanë nisur të gëlojnë.  Matthew Landrus, akademik i Oxford-it, ka dalë publikuar me pretendimin se, shumë larg prej të qenit e Leonardos, kjo vepër mund të jetë bërë nga një imitues i dorës së tretë, Bernardino Luini. Por nëse  Luvri i Abu Dabit, ka pasur vërtet dyshime rreth Salvator Mundit, me gjasa do të ketë qenë rreth gjendjes së tij. Nëse Luvri, si dega e tij e re ashtu edhe qendra në Paris, që kanë teknologjinë më të sofistikuar të konservimit, ende nuk e kanë pikasur problemin, të gjithë kuratorët duhet të kontrollojnë postimet në Instagram, që nisën të materializohen pas shitjes së pikturës vitin e kaluar.

Thomas Campbell, ish-drejtor i Muzeut Metropolitan të Nju Jorkut ka shkruar: “450 milionë dollarë? Shpresoj që blerësi të kuptojë problemet me konservimin.”  Fotoja shoqëruese tregon Salvator Mundin në mes të restaurimit. Të  gjithë ripunimet  u pastruan për të zbuluar një imazh me dëmtimet, disa mjaft të konsiderueshme nga maja deri në fund.  Çështja ishte se piktura, në gjendjen e shitur prej Christie’s, është  e restauruar më tepër seç duhet. I sfiduar, Cambell, ka shtuar : “Ishte thjesht një vërejtje, siç shumë të tjerë kanë, në sasinë e tepërt të konservimit.”  Në fakt, fotografia ishte si një bombë, një copëz e pikturës që dukej tmerrësisht ndryshe nga versioni i restauruar. Koha e ka lënë Krishtin pjesërisht qeros, me sy të pakoordinuar, e megjithatë fytyra është vërtet e bukur – e butë dhe në harmoni, por anatomikisht e saktë.

Është krejt ndryshe, në nuancë dhe ndjesi, nga paraqitja e tymtë, gati e paqartë e pikturës sot, pas trajtimit të plotë nga restuaratorja e njohur,   Dianne Dëyer Modestini.  Imazhi në postimin e Campbell-it, ishte i prerë dhe i turbullt, por “Guardian” ka botuar një version të një cilësie të lartë. Nëse të çarat e kohës janë edhe më të dukshme, ashtu është edhe bukuria rinore e Krishtit. Ai duket si ai lloj androgjini, model flokëgjatë,  të cilin Leondardoja pëlqente ta portretizonte dhe, siç ka thënë biografi i shekullit të 16-të Vasari, me të cilët e rrethonte veten, në një punishte të Rilindjes, që ishte paraardhësja e fabrikës së Andy Warhol-it.  Ishte Martin Clayton,kurator i vizatimeve të Leonardos në Bibliotekën Mbretërore në Kështjellën Windsor, i cili më sugjeroi të  shihja postimin e Campbell-it dhe më tërhoqi vëmendjen me ndryshimet befasuese mes pikturës, pasi ishte pastruar dhe, paraqitjes së saj tani. “Fotografitë duket se tregojnë se, përpara se të ripunohej, ishte i gjithë Leonardo”, thotë ai. “Ato tregojnë pikturën në mes të restaurimit dhe duket se ripunimet pasuese e kanë errësuar veçorinë e fytyrës”. Clayton nuk vë në dyshim  vërtetësinë e pikturës. Ai sugjeron se një Leonardo shumë i pastër, është “errësuar” pjesërisht.

Foto: “Luvri” i Abu Dabit.

E mora këtë teori trazuese dhe e adresova tek Robert Simon, njeriu që zbuloi Salvator Mundi bashkë me dy partnerë biznesi. Ata e blenë këtë pikturë në dukje të parëndësishme në ankandin e Luizianës, më 2005-ën. Simoni ishte shumë i dhënë pas Leonardos dhe, kur nisi të mendojë se kjo ishte diçka më shumë sesa një kopje e keqe, nisi me kujdes të kërkojë origjinën e saj, ndërsa e çonte tek Modestini për restaurim. “Vendimi më i rëndësishëm nuk ishte ta trajtoje si një vendim thjesht komercial,” thotë ai. Por puna u krye në pajtim me “një plan të ngadaltë, të përgatitur dhe pa ngut.” Mundi u shpërblye kur ia treguan pikturën pjesërisht të ripunuar  Nicholas Penny-it, i cili ishte gati të zgjidhej drejtor i Galerisë Kombëtare në Londër. “E kuptoi dhe tha: “Mendoj se keni një problem interesant: si i qaseni diçkaje që duket pothuajse e pamundur?” Penny kishte të drejtë. Zbulimi i pikturës, më parë të panjohur, të Leonardos duket “thuajse i pamundur”. Vetëm afro 20 piktura të tij i kanë mbijetuar kohëve. Të tjerët dihet se kanë humbur apo janë shkatërruar, por nuk ishte kurrë shumë prodhues. Këto pak piktura ekzistuese janë ruajtur, duke e bërë rishfaqjen e një të harruare më pak të ngjashme.

Zgjidhja e Penny-it ishte të sillnin pikturën  në Galerinë Kombëtare dhe të caktonin një këqyrje ekspertësh. Më pas u shfaq për herë të parë në një  vend autoritar,  në ekspozitën e Leonardos. Më 2013-ën, një vit pasi u mbyll ekspozita, Simon dhe partnerët e shitën Salvator Mundin përmes Sotheby-it, një ndërmjetësi të një koleksionuesi rus të artit, i cili më vonë e shiti atë për çmimin që theu rekorde. E megjithatë, përpara  se të mbërrinte në Galerinë Kombëtare, piktura ishte punuar. Simon pohon se ishte pjesërisht “e pikturuar mbi origjinal” përpara se t’u tregohej ekspertëve, përfshirë edhe Penny-in. Pse nuk e la ai pikturën në gjendjen e vet origjinale dhe të bukur,  përpara se të pastrohej? A nuk ishte një objekt fantastik në vetvete ?

“Piktura ishte e fuqishme ashtu siç ishte pa trajtime të mëtejshme”, thotë ai. Këto nuk ishin vendime të rastësishme, ngul këmbë ai, “ Një pjesë e vendimit tonë përfundimtar u mor me mirëkuptimin, se po  ta linim pikturën “origjinale” , do i bënte shikuesit të fokusoheshin tek dëmtimet dhe jo tek ajo që kishte mbijetuar. Në fund, vendosëm të bënim atë që ndjemë si më e mira për pikturën. Kjo mund të tingëllojë e rreme ose e rëndomtë, por ishte për shkak të respektit të thellë për vetë pikturën që ndjemë  se ta sillnim sërish në jetë sa më shumë të ishte e mundur, ishte mënyra më e drejtë.”