26 Mars 2026

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, ka pranuar se në QSUT pas datës 20 prill nuk do të mund të kryhen analiza për të shtruarit, për shkak të mungesës së fondeve. Kjo do të ndodhë pas datës 20 të çdo muaji.

Ajo tha se po mblidhen të gjitha të dhënat dhe do të bëhet më pas vlerësimi për adresimin e problemit dhe zgjidhjen e tij.

“Aktualisht po vlerësojmë, kemi të gjithë të dhënat, e mbi bazën e të dhënave planifikimin e mirë të shërbimit. Nuk duhet të mungojnë analizat dhe këtë po e adresojmë dhe do ta zgjidhim brenda këtij viti”, tha ministrja

Mjekët thonë se 80% e antibiotikëve mungojnë gjithashtu.

Po ashtu ajo tha se qeveria ka miratuar sot disa ndryshime sa i takon funksionimit të Komisionit të Çmimeve të Barnave.

Ky hap  sipas saj synon të rrisë transparencën në përcaktimin e çmimeve, të përshpejtojë procedurat administrative dhe të garantojë furnizimin e qëndrueshëm të barnave, veçanërisht të atyre që janë të vetmet në treg.

Ky vendim vjen si një nevojë e hershme për shpejtimin e procedurave dhe garantimine furnizimit të qëndrueshëm të barnave për qytetarët”, tha ajo.