Mimika Luca

21 Shkurt 2023
Nga; Albert Vataj
Lamtumirë nënë Mimika Luca, shprehje e përkorë e një shpirti të dritur në mirësi
Ajo, Mimika Luca, nuk është më mes nesh!
Ajo nuk do të vijë më, si herë të tjera të festojë ditëlindjet apo kremtet e zëshme të një zemre nëne, në Fish City. Nuk do të zbresë shkallët e të falmeshëndetet me miqtë, kolegët dhe adhuruesit e shumtë, të cilët u bën pjesë e jetës së saj, nuk do të mund të marrë më lule as përqafime nga Rozafa që fati i çoi portej Atlantikut, as nga Gjergji që ishte zë e zemër në çdoditshmërinë e saj prej nëne.
Zemra e nënë Mimikës nuk do të trokasë më në kraharorin e dashurisë dhe mallit. Ajo i dorëzohet vdekjes ashtu e paqtë dhe e përkorë, si çdo nënë e shenjtëruar në aktin e madh të misonares.
Lëshohet ajo në këtë prehje të prehrit të përjetësisë, jo duke u dorëzuar, por duke lejuar që ikjet të na dhembin, zemrat të na gjëmojnë dhe jeta të vazhdojë.
Iku nënë Mimika, bashkë me nënat e tjera, ata të artit skenik e të sfidave të jetës!
Iku sepse nuk mund të qëndronte më, jo sepse nuk e deshëm, por sepse ajo na deshi më shumë se sa ne të mund ta ndalonim rrugëtimin e saj për në jetë e pasosur.
Asnjëherë nuk është e kohëshme ikja e nënave, por kur ata vendosin të ikin, diçka nga brenda nesh vendos të largohet së bashku me ta.
Ata zgjedhin të ikin duke lënë dhimbje dhe trishtim.
Ikin me sytë e mbushur me qiell.
Ikin me zemrën ku harlisen lule të bardha e kundërmojnë aroma.
Ikin për të mos u kthyer më!
Ikin për të na treguar se sa e dhimbshme është ndarja me nënat.
Ikin për të na lënë në shpirt një breng e në zemër një trokitje, si çdo ikje nëne.
Kështu iku edhe nëna Mimika!

Mimika Luca

Ajo nënë me zemër të bardhë, vendosi t’i dorëzohet vdekjes pa marrë lejë, pa pyetur për zemrat që çahen, e shpirtrat që drithërojnë në vuajtje e mundim.
Bashkë me ikjen e nënë Mimikës është këputur sot edhe një yll prej qiellit të kinemasë shqiptare. Ka ndaluar udhën e kësojetshme për të marrë atë të amshimit, Mimika Luca, ajo nëna e roleve të mëdha, ajo zemra e drithërimave të emocioneve skenike, ajo që duke ikur, nuk do të mund t’i marrë çfarë la në artin e madh të skenës dhe në zemrat tona.
Portreti i saj i përkorë prej shenjtoreje ka reshtur së shndrituri në suazën e jetshme të çdoditshmërisë, për tu ngjitur në vezullimin e përjetësisë, për të hypur në ikonë, për të zënë vend në panteon, atje ku prehen jetët që dritën me diellin e shpirtit.
I lehtë të qoftë hapi në rrugëtimin tënd drejt amshimit, nënë Mimika!
U shpërblefsh me dritën e Parajsës, nëna ze zemrës së bardhe e syve të përvuajtur!

Mimika Luca

Lamtumirë Mimika Luca!
Përulësisht, Albert Vataj