Michele Placido: Një vend nuk ndërtohet duke shkatërruar ndërtesa kulturore. –

Aktori i njohur italian Michele Placido është shprehur për Teatrin Kombëtar Tirane, duke e cilësuar shembjen e tij si një akt barbar.

I njohur nga publiku shqiptar me rolin e komisar Katanit te “Oktapodi” ai ka dalë në mbrojtje të godinës së teatrit. Në media ai ka deklaruar se Shqipërinë e ka njohur që nga xhirimet e filmit “L’America” dhe ruan kujtime nga Shqipëria. “Vendin tuaj e kam njohur kur sapo kishte dalë nga regjimi komunist, ndërsa xhironim filmin “Amerika” dhe kam kujtime shumë të bukura.

Kam vizituar gjithashtu dhe godinën e Teatrit Kombëtar, ndërtesë shumë e rëndësishme për artin dhe trashëgiminë e një vendi. Kam shumë vite që i kam humbur kontaktet me Shqipërinë, por mbështes çdokënd që përpiqet të ruajë trashëgiminë kulturore të vendit të tij”, u shpreh Michele Placido. Në media aktori i njohur shprehet mes të tjerave se nëse kjo godinë shembet është kundër historisë. “Shembja e kësaj godine do të ishte një akt barbar, që do të shkonte kundër historisë së vendit tuaj, megjithëse nuk besoj se qeveria shqiptare do ta ndërmarrë një hap të tillë” u shpreh Placido. Në reagimin e tij aktori i njohur italian vijon se politika duhet të ndalet dhe të kuptojë se sa rëndësi ka memoria historike. “Një vend nuk mund të ndërtohet duke shkatërruar ndërtesat e vjetra kulturore, sepse nuk është kjo mënyra se si ti i prezantohesh Evropës. Nuk mendoj se do ta bëjë këtë gabim qeveria shqiptare, sepse do të shkatërronte një pjesë të kulturës shqiptare”, vijon aktori italian Michele Placido. Me një aktivitet të vlerësuar në kinemanë italiane, aktori i njohur Michele Placido ka marrë pjesë dhe në  një tjetër film shqiptar si “Trishtimi i zonjës Shnajder”.

Një figurë e njohur dhe e vlerësuar për publikun, aktori italian me reagimin e tij që del të mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar i bashkohet dhe të tjerë emrave që janë shprehur kundër vendimit të qeverisë për ta shembur. Prej disa muajsh çështja e Teatrit Kombëtar ka ngjallur jo pak reagime, janë shprehur jo vetëm personalitete të kulturës shqiptare por dhe të huaj, që kërkojnë të ruhen vlerat e trashëgimisë.

Në reagimin e tij aktori italian shprehet se e mbron kulturën, sepse mendon se një vend që ka kulturë ka dhe frymëmarrje demokratike.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/