Meseletë me fall e me fallxhorë tregojua plakave të Surrelit. – E akuzoi Rama se ka shkruar artikullin tek “Bild”, reagon ish-ministri. –

16 maji 2019

Kryeministri Edi Rama e akuzoi mbrëmjen e sotme si autori i artikullit të publikuar pak ditë më parë nga gazeta e madhe gjermane “Bild”, por ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thotë se deklarata e kreut të qeverisë është gënjeshtër dhe se ai ka vetëm tre fjali në artikull siç është edhe cituar.

 “Fakt është që unë jam cituar për deklarime të hershme të miat, në atë shkrim vetëm me tre fjali”, shkruan Manjani.

Ai shton se kryeministri shpik skenarë, duke mos bërë punë.

Reagimi i plotë i Ylli Manjanit:

Mora vesh që Kryeministri, në opinion paska thënë që shkrimin në Bild e kam bërë unë.

Jam i shtrënguar të deklaroj se ky pohim publik i Kryeministrit është i gënjeshtërt.

Ashiqare madje!

Nuk e di nga buron nevoja për të gënjyer, nga mllefi që ka me mua, nga përmbajtja e atij shkrimi apo nuk di më të lexojë!

Po fundja ç’rëndësi ka arëryeja përse gënjen.

Fakt është që ai artikull është shkruar nga Peter Tiede dhe jo nga unë.

Fakt është që unë jam cituar për deklarime të hershme të miat, në atë shkrim vetëm me tre fjali.

Nëse ato tre fjali janë ende të pagëlltitshme nga Kryeministri, ky është problem i tij, jo imi.

Mjerim i madh duket, kur Kryeministri lë çdo punë e shpik skenare me shkrime gazetash.

Sidoqoftë, prapë po pyes: pse Bild zgjodhi të më citojë mua dhe jo Kryeministrin bie fjala?

Ai flet më shumë se unë…

Dhe me në fund, meseletë me fall e me fallxhorë tua tregojë plakave të Surrelit, në ja pranofshin edhe ata, jo mua!

Mendimi dhe fjala ime janë të miat, si gjithmonë.