Mesazh i fortë nga SHBA: – Vetëm deputetë “të pastër” në tryezën e ambasadës

29 Janar 2026
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dërguar sërish një sinjal të fortë ndaj klasës politike shqiptare, duke treguar kujdes të shtuar në raportet me deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Ndryshe nga proceset zgjedhore të mëparshme, këtë herë SHBA qëndroi larg hartimit të listave të kandidatëve, çka i hapi rrugë forcave politike kryesore që të përfshinin në Parlament edhe figura të kontestuara. Megjithatë, në komunikimin e drejtpërdrejtë me deputetët, ambasada duket se ka vendosur një filtër të qartë.
Sot, e Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn, zhvilloi një takim me një grup prej rreth 10–12 deputetësh që janë ulur për herë të parë në Parlament, nga radhët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Mes emrave të pranishëm përmenden Ivi Kaso, Besart Xhaferi, Bledi Himçi, Marjana Koçeku, Alma Selmani dhe Erjona Ismaili.
Në njoftimin zyrtar, ambasada bëri të ditur se deputetët do të jenë pjesë e Programit Ndërkombëtar të Vizitorëve Udhëheqës (IVLP), në kuadër të të cilit do të udhëtojnë në Uashington DC, Phoenix dhe Pensacola, për të forcuar bashkëpunimin SHBA–Shqipëri në fusha si zhvillimi ekonomik transparent, lidhjet tregtare dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.
Por ajo që bie në sy është lista e deputetëve të rinj që nuk u përfshinë në këtë takim. Nga radhët e PS-së mungojnë emra si Sara Mila dhe Zegjine Çaushi, të cilat kanë qenë objekt akuzash dhe polemikash publike. Po ashtu, jashtë kanë mbetur edhe figura të tjera të kontestuara si Tërmet Peçi dhe Agron Malaj, të përfolur për skandale dhe afera të ndryshme.
Nga Partia Demokratike, ndër emrat e lënë jashtë është Gjin Gjoni, ish-gjyqtar i shpallur më herët “non grata” nga SHBA dhe i njohur për përplasjet me institucionet amerikane, si dhe Kliti Hoti, i akuzuar publikisht për afera në sektorin e ilaçeve. Po ashtu, në listë mungon edhe Zija Ismaili, mjeku i përfshirë në çështjen e shumëpërfolur të Kosta Trebickës.
Sipas vëzhguesve, përzgjedhja e ambasadës tregon një qasje të kujdesshme, duke preferuar të angazhohet vetëm me deputetë që nuk rezultojnë të përfolur për skandale apo probleme me ligjin, një mesazh i qartë për standardet që SHBA kërkon në bashkëpunimin me politikën shqiptare.
