Mashtrimi me buxhetin e mbrojtjes dhe sabotimi i Korridorit 8, te tjetërsimi i bazave detare për oligarkët dhe…

3 Korrik 2026
Artur Meçollari, ish-zv/komandant i Forcës Detare, ka nxjerrë detaje të forta mbi gjendjen e sigurisë kombëtare dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n, duke paralajmëruar se vendi rrezikon mbajtjen e samitit të Aleancës në vitin 2027. Sipas tij, qeveria shqiptare ka mashtruar me buxhetin e mbrojtjes, i cili rezulton të jetë rreth 1.8% në vend të 2%-shit të deklaruar, për shkak të bllokimit të firmosjeve nga frika e hetimeve të SPAK-ut.
Meçollari denoncon tjetërsimin e pronave të Forcës Detare në Shëngjin, Porto Romano, Sazan, Pashaliman, Limion dhe Porto Palermo për interesa të oligarkëve, veprime të cilat sipas tij kanë dëmtuar rëndë kapacitetet operacionale të Aleancës. Ai thekson se kryeministri Rama është përpjekur të legjitimojë projekte ndërtimi në Porto Romano dhe Portin e Durrësit në dëm të sigurisë strategjike, ndërsa nënvizon se tre përfaqësuesit më të lartë të Shqipërisë në strukturat e NATO-s – Bardhyl Kollçaku, Ilir Xhebexhia dhe Adnand Agastra – janë nën hetim ose janë marrë në pyetje nga SPAK për tjetërsimin e bazave detare. Meçollari akuzon gjithashtu qeverinë për sabotimin e Korridorit 8 dhe për ndërprerjen e kontratave të mirëmbajtjes me kompaninë amerikane “Lockheed Martin”, duke përfunduar se veprimet dhe mosveprimet e kryeministrit kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe angazhimet ndaj NATO-s.
Analiza e Meçollarit
Turqia, një samit i vështirë për Ramën. NATO përfundimisht e ka kuptuar që qeveria shqiptare e ka mashtruar me buxhetin e mbrojtjes. E planifikon mbi 2%, por buxheti real shkon tek rreth 1,8 %. Arsyet i ka shprehur vetë KM Rama. Administrata nuk firmos se ka frikë nga SPAK-u. Pra nuk do të përfshihet në korrupsion. Arsyeja që Shqipëria nuk plotëson dot kërkesat e NATO-s është korrupsioni. Unë kam mbi gjashtë muaj që them Shqipëria rrezikon mbajtjen e samitit të NATO-s në vitin 2027. Ka dhe argumente të tjera që lidhen po me NATO-n, por çështja e buxhetit është më e kapshmja, më e qartë dhe e dukshme.
1) Kryeministri Rama për tre vjet, 2022-2025, u mundua të bindë NATO-n të ndërtojë dhe financojë një bazë detare në Porto Romano. Kjo jo për interes të NATO-s, pasi KM Rama i kishte propozuar Pashalimanin në vitin 2019 dhe nisi studimi i saj në vitin 2020. KM Rama e bëri këtë përpjekje për të legjitimuar projektin dhe korrupsionin, si në Portin e Durrësit edhe në Porto Romano;
2) Kryeministrit Rama edhe pse ju bë e qartë qysh në fillim nga Komandanti Suprem i NATO-s dhe SHBA në Europë se “Porti historik i Durrësit ka qasje strategjike për Aleancën” nuk hoqi dorë nga projekti i Alabarit. Ky projekt dëmtonte kapacitetet operacionale të NATO-s në Korridorin e 8-të;
3) Kryeministri Rama ka tjetërsuar pothuajse të gjitha pronat e Forcës Detare për oligarkët shqiptarë dhe disa të huaj për korrupsion politik dhe financiar, si në Shëngjin, Porto Romano, Sazan, Pashaliman, Limion, Porto Palermo, etj. Disa prej tyre janë në hetim dhe nën sekuestro nga SPAK. Kjo ka sjell dëmtimin e rëndë të kapaciteteve operacionale të Forcës Detare;
4) Edhe pse KM Rama i propozoi NATO-s bazën e Pashalimanit si bazë të NATO-s në vitin 2019, ai tentoj ta ndryshojë atë drejt Porto Romanos në vitin 2022. Por, më e keqja e cila ka dëmtuar objektivat e NATO-s është që Rama së bashku me Begajn në shkurt 2025, pesë vjet pasi NATO kishte nisur studimin, i hoqi Pashalimanit 80 ha në interes të një “investitori strategjik” të huaj, duke i lënë bazës së Pashalimanit vetëm 14 ha. NATO e miratoi, pani kthe pronën;
5) Në dy vitet e fundit Ministria e Mbrojtjes ka riorientuar marrëdhëniet strategjike në fushën e mbrojtjes duke mos lejuar partnerët strategjikë tradicionalë në kontratat ushtarake, por duke ua dhënë ato individëve korruptivë jashtë hapësirës së NATO-s.
6) Në gjashtë muajt e fundit tre autoritetet më të larta të Shqipërisë në strukturat NATO-s janë persona të marrë në pyetje nga SPAK dhe që u janë sekuestruar celularët ose u është ushtruar kontroll për hetimet mbi tjetërsimin e bazës detare të Shëngjinit dhe Limionit. Marrja nën hetim e tyre është çështje kohe. Ata janë: Bardhyl Kollçaku, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, sot Ambasador në NATO; gjeneral major Ilir Xhebexhia, ish-Komandant i Forcës Detare, sot Përfaqësuesi më i Lartë Ushtarak i Shqipërisë në NATO në Bruksel,; nënadmiral Adnand Agastra ish-Komandant i Forcës Detare, sot Përfaqësuesi më i Lartë Ushtarak i Shqipërisë në Komandën Supreme të NATO-s në Mons.
7) prej katër vitesh Ministria e Mbrojtjes nuk lejon vijimin e kontratave të mirëmbajtjes së sistemit të vëzhgimit detar dhe ajror nga kompania amerikane Lockeed Martin, e cila dhe i ka ndërtuar. Rama u mundua ta ndryshojë imazhin e Ministrisë së Mbrojtjes duke shkarkuar Vëngun, por të gjithë e dinë që edhe Ministër Mbrojtje është Rama. Kjo ka dëmtuar rënë gatishmërinë e sistemeve të vëzhgimit;
8) Është sabotuar ndërtimi i Kortidotit të 8-të, i cili duhet të niste në vitin 2016, por nisi në vitin 2024 dhe me kapacitete të ulëta. Z. Rama. NATO-n jo vetëm që nuk e korrupton dot, por nuk i bën dot as karshillëk. Me veprimet dhe mosveprimet e tua ke cënuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe kapacitetet e Aleancës. Reuters jep një mesazh, përtej fakteve që paraqet artikulli. Ekuacioni është edhe më i ndërlikuar. Gjithsesi, mirë është të përgatitesh për një samit të vështirë, ose dërgo Bajramin, në kapacitetet e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.”
