20 Korrik 2024

Teksa vendi është përfshirë nga i nxehti afrikan, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa me autoambulanca dhe ekipe mjekësore në ndihmë të qytetarëve.

Gentjana Qirjanko, shefe e sektorit të informacionit shëndetësor në ISHP, deklaroi se në kryeqytet ndodhen 4 qendra të tilla, të cilat janë të shpërndara dhe në qytete të tjera të vendit.

“Janë vendosur 4 stacione ambulatore të lëvizshme në 4 pika të lëvizshme të përcaktuara të kryeqytetit. Në sheshin Skënderbej, Bulevardin e Ri, pranë kodrave të Liqenit artificial dhe tek 21 dhjetori. Tek secili nga këto vende ndodhet një autoambulancë e Urgjencës Kombëtare sëbashku me ekipin përkatës që ofrojnë suport për çdo person që shfaq probleme shëndetësore nga ora 11:00-18:00.

E njëjta gjë është vendosur në disa qytete, në Elbasan, Durrës, Gjirokastër, Berat, Shkodër.

Në qendrat shëndetësore, fluksi i shtuar është nga vizitat e fëmijëve të vegjël.

Në urgjencën mjekësore dhe spitale ka një fluks të të sëmurëve kronikë,” tha ajo.