10 Tetor 2023

Pas ndryshimeve qeveritare të gati një muaj më parë, Ogerta Manastirliu, nga posti i ministres së Shëndetësisë u transferua te Ministria e Arsimit dhe Sporteve.

Pedagogu dhe drejtuesi i “Lëvizjes bashkë”, Arlind Qori, tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në se ministrja e re është denoncuar në vitin 2018 se ka kopjuar gati të gjithën punimin e doktoraturës dhe si për ironi të fatit, në vend që të shkarkohej bëhet ministre e Arsimit.

“Zonja Manastriliu është e para ministre në historinë e shtetit shqiptar që i ka dalë punimi i doktoraturës plagjiaturë. Ne e kemi denoncuar që në vitin 2018. Unë dhe Ervini jemi pedagogë këtu dhe kur kapim dikë me kopje i vëmë 4, madje rregullorja e Universitetit të Tiranës krijon edhe mundësinë ekstreme që ta përjashtosh fare nga shkolla.

Një ministre ta kapësh me kopje në punimin e doktoraturës i bie që të jetë kulmi, jo vetëm nuk e gjen gjë, por për ironi, z. Rama e bën ministre të arsimit.

Fan Noli shkroi dikur për Halimin që nuk dinte këndim dhe zonja Manastirliu është trupëzimi më i mirë i asaj që Noli ka shkruar gati 100 vite më parë.

Z. Rama në vitin 2015 ka bërë një reformë në arsim që është skandaloze dhe efektet ne po i ndjejmë tani. Auditoret po shpopullohen nga studentët, shohim se vit pas viti ne kemi më shumë karrike bosh se studentë dhe ky është një realitet që prek shumicën dërrmuese të degëve. Drejtuesit e universiteteve publike kur bëhen zgjedhjet fitojnë më shumë se Partia Socialiste”, tha Qori.

Gazeta Sot