Manastiri i Mesopotamit, rast unikal në arkitekturën bizantine botërore

Nga: Reshat Gega

Manastiri i Shën Kollit të Mesopotamit pranë fshatit me të njëjtin emër në rrethin e Delvinës, është një nga monumentet më të spikatura të arkitekturës shqiptare, pjesë e arkitekturës bizantine me datim të bazuar në të dhënat e deritanishme, shek 12-13.

Prej kohësh ky monument ka tërhequr vëmendjen e studiuesve duke filluar nga më të hershmit F. Versakis (1915), D. Evangelidis (1919), e më pas A. Meksi me botimet sipas viteve (1972, 1975, 1978, 1983, 2003, 2004).

Nuk kanë munguar të tjerë studiues të cilët kanë marë në konsideratë arkitekturën dhe historikun e këtij monumenti sikurse janë P. Vokotopoulos(2003), K. Giakoumis-Gj.Karaiskaj (2004). Në studimin e këtyre të fundit është bërë përpjekja për të përafruar më saktë datimin e themelimit të manastirit, duke u nisur nga një mbishkrim në një pllakë guri e gjetur kjo nga gërmimet arkeologjike të realizuara në pjesën lindore gjatë vitit 1990 me autor R.Gega. Data që jepet në këtë mbishkrim i takon viteve 1224/5 dhe përkon më së miri me periudhën kur në këtë hapësirë u shfaq vrullshëm zhvillimi i Despotatit të Epirit me qendër në Arta.

Manastiri i Shën Kollit në Mesopotam është i vendosur në një kodër te butë duke zënë pjesën më jugore të saj. Ka një mur rrethues i cili, në përshtatje me formën e kreshtës së kodrës formon një parcelë me brinjën gjatësore veri-jug afërsisht 100 ml, dhe atë lindje-perëndim 80ml. Linja e vendosjes së murit nuk jep ndonjë formë të rregullt gjeometrike por ne mund ta përafronim me një drejtëkëndësh, brinjët dhe këndet e të cilit janë të pajisura me kulla. Nga të dhënat e reja, si rezultat i punimeve rivlerësuese të tre viteve të fundit, janë vënë re edhe dy kulla në brinjën veriore duke e rritur kështu numrin e tyre të njohur deri tani, nga 9 në 11.

Nisur nga teknika e realizimit të murit rrethues të këtij manastiri është komentuar se kemi të bëjmë me një periudhë ndërtimi më të hershme në raport me atë të Kishës, shekujt 11-12, gjë e cila ka intriguar mjaft në hedhjen e ides se përpara formimit si manastir, duhet të ketë qënë në këtë hapësirë një kështjellë e banuar. Mendoj se ky variant është i vështirë për të qënë i vërtet, pasi hapësira që përcakton muri rrethues nuk lejon aq sa duhet formimin e kushteve për një qendër të banuar dhe nga ana tjetër, me të dhënat e dala nga sondazhet e vitit 1990 e më pas, ka mjaft elemente dhe struktura arkeologjike të cilat flasin vetëm për një manastir dhe jo qendër urbane. Megjithatë saktësimet për zhvillimet ndërtimore dhe historikun e tyre do t’i prezantoj vetëm implementimi i një program-projekti afatgjatë, qëllimi i të cilit do të jetë: konservimi dhe konsolidimi i elementëve arkitektonik, gërmimet arkeollogjike dhe evidentime të strukturave që dalin nga ky proces si edhe studimin mbi bazën e të dhënave të reja.

Ajo që e ka bërë mjaft të veçantë dhe me vlerë këtë manastir nuk është vetëm vjetërsia e tij, madhësia apo historia e themelimit si dhe jeta e tij më pas. Këto aspekte të ekzistencës së tij janë me të vërtet të rëndësishme dhe me siguri që do të pasurohen e vlerësohen akoma më shumë në të ardhmen. Por ajo që tërheq më tepër vëmëndjen dhe në shumë raste shtang ata që kanë një farë kulture dhe njohuri për arkitekturën bizantine është modeli planimetrik dhe skema statike e aplikuar në Kishën e këtij manastiri. Është i vetmi rast në të gjithë botën arkitektonike bizantine ku shfaqet dhe zbatohet një skemë e tillë, katër kupola mbi tambur të cilët mbështesin akstakimin e tyre mbi një kolonë të vetme e cila nga ana e saj korrespondon me aksin gjatësor të sallës së naosit. Një kolonë e vetme e cila nuk e kalon diametrin 50 cm dhe me një lartësi të konsiderueshme afërsisht 4m ka mbajtur në fillim një ngarkesë të jashtëzakonshme që vinte nga pjesa e përbashkuar e katër kupolave me tamburet. Salla e kishës, naosi në anen lindore pasohet nga pjesa e ambientit të altarit, i cili gjithashtu bën shmangie nga e zakonshmja pasi përfundon me dy absida. Pra, në vënd të një abside, sikurse janë shumica e kishave, në këtë rast kemi dy. Kjo skemë, me mbështetje vetëm në një kolonë cilindrike, dy absida, pesë porta dhe portik apo korridor në anët veri, jug dhe perëndim i takon fazës origjinale të formimit të kishës. Në pamje të parë krijohet përshtypja se nuk ka ndonjë ndryshim të ndjeshëm nga tipet që përdoreshin në këtë periudhë të zhvillimit të arkitekturës së kishave bizantine, por kur bën një analizë më të detajuar dhe mundohesh të përjetosh zhvillimin që ne ide të kesaj skeme, ngelesh gojë hapur për guximin dhe elegancën me të cilën ka formësuar arkitektonikisht volumin e brendisë arkitekti i këtij monumenti.

Është pa frikë një rast i cili nuk mund të mos e përcaktosh si kryevepër arkitektonike dhe për ne shqiptaret duhet të konsiderohet si një fat dhe nder i madh. Mund të themi se kemi në fontin e trashëgimisë arkitektonike një monument, i cili është unikal brenda llojit të vet dhe kjo nuk është pak.

Arsyeja pse është konceptuar në këtë mënyrë volumetria e kësaj kishe, ka qenë përherë objekt hamendjesh dhe diskutimesh. Nuk dihet saktësisht pse është formuluar me dy absida por më e pranueshme mbetet ideja e ushtrimit të dy riteve kristiane, ortodoks dhe katolik me të njëjtin shenjtor. Varianti i realizimit të dy absidave për dy shenjtor nuk gjen shumë vend pasi në mënyrë të padiskutueshme do të trashëgohej si kishë me dy emra, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Kjo kishë i është dedikuar një shenjtori, Shën Nikollës, i cili ka qënë shumë i përhapur dhe i adhuruar në të dy brigjet e Adriatikut, pjesa e Moresë dhe ajo e Jugut të Italisë.

Është gjithashtu interesant fakti se në repertorin dekorativ të kishësi gjejmë një frymë artistike që të kujton artin perëndimor. Për këtë flasin skulpturat në mure dhe dekoracioni në dyshemetë.

Pas viteve 90, me realizimin e disa ndërhyrjeve konservuese ndaj kishës si edhe sondazheve në anën lindore, u dha mundësia që të thellonim njohuritë, qoftë për situatën e manastirit në përgjithësi, ashtu edhe për atë të kishës në veçanti.

Nga gërmimet dolën struktura të panjohura më parë dhe që i pasurojnë mjaft njohuritë për zhvillimin ndërtimor të godinave të manastirit. Në mes të ambienteve të gërmuara dolën struktura të cilat, nisur nga forma nuk përkojnë me funksionet e dhomave ku ato ndodhen. Nuk kanë lidhje edhe si teknikë murature. Me shumë të ngjarë janë pararendëse. Në studimin e prezantuar të 2007 pranë Komisionit Kombëtar të Restaurimit, në MTKRS, i paraqitur dhe miratuar si ide për rivlerësimin e këtij kompleksi, këto struktura janë konsideruar me mundësinë më të madhe si mbetje të një ujësjellësi. Nisur nga drejtimi që këto blloqe ndjekin sipas linjës imagjinare, besohet se është gjetur edhe burimin prej nga furnizohej me ujë ky ujesjellës. Saktësimi i këtyre elementeve do t’i takojë të ardhmes, por me këtë rast e vëmë në dukje, sepse deri tani duket më i hershmi në raport me të gjitha pjesët e tjera të njohura të manastirit.

Sondazhet sollën në dritë edhe një mori elementesh arkitektonike, qeramikë, copa afresku, pjesë dekoracioni në gur gëlqerorë si korniza etj, të cilat janë materiale të grumbulluara për shkak të shëmbjeve që ka pësuar herë pas here ky kompleks.

Nga vëzhgimet tona në drejtim të arkitekturës së kishës patëm disa të papritura të lidhura me mënyrën se si ishte perceptuar nga studiesit dhe vëzhguesit e cituar më sipër. Modeli arkitektonik dhe fazat ndërtimore që ka kaluar kisha rezultojnë me ndryshime të theksuara.

Në studimin e 2007-ës janë dhënë të rejat kryesore që flasin qartë për një formulim fasadash dhe planimetrie ndryshe nga si ishte dhënë më parë prej të gjithë autorëve. Në mënyrë të përmbledhur këto të reja mund t’i radhisim si më poshtë:

Fasadat nuk kanë qënë në origjinën e tyre me korniza horizontale, por të artikuluara me frontone dy ujësh, të cilët dikur qëndronin mbi çdo njërën nga triforet ose dritaret treshe. Fasadat jug dhe veri kanë patur jo një qemer cilindrik si mbulesë përpendikular me portën dhe fronton në ball, por dy të tillë, një për çdo portë të këtyre anëve.

Fasada lindore ka qënë në origjinën e saj jo me dy absida sikurse është dhënë në studimet e mëparshme por me tre, prej nga e mesit nuk ka qënë absidë e vërtet. Kjo pjesë ka luajtur rolin e një kontraforti në përballim të ngarkesave që sillte aksi gjatesor i kishës për shkak të kupolave. Trajtimi i kësaj pjese në pamjen e jashtme ka qënë njëlloj si absidat e vërteta, por pa dritare. Pjesa e sipërme e kësaj abside-kontrafort ka qënë dhe është akoma në tokë, në anën lindore lindore, por asnjëherë nuk i ishte dhënë shpjegimi se nga kishte ardhur dhe ku e kishte patur vendin. Zgjidhja që ka bërë autori i projektit apo konstruktori në lidhje më këtë element ka qenë e kushtëzuar me përballimin e forcave të mëdha shtytëse qe përcillte aksi gjatësor i linjës bashkuese të tambureve. Përsëri vlen të përmëndim se kemi të bëjmë më një rast unikal dhe gjenial për nga mënyra dhe eleganca se si është aplikuar e tërë ideja e formulimit arkitektonik të brendisë në shërbim të funksionit, dy absida për dy rite.

Nga vëzhgimet e deritanishme është arritur në mendimin se kisha ka pësuar disa herë ndërhyrje të cilat kanë qënë të detyruara për shkak të shëmbjeve e dëmtimeve të ardhura në kohë te ndryshme. Kështu, nëqoftëse të gjithë studimet e mëparshme kanë perceptuar vetëm dy momente ndërhyrjeje, viti 1793 dhe 1845, të cilat faktohen nga data të gdhendura, dalloj deri tani të paktën katër momente ndërhyrjesh dhe ndryshime për shkak dëmtimesh nga tërmete etj. Ka shumë të ngjarë të jenë pesë të tilla, por në të ardhmen duhet të bëhen verifikime me sondazhet përkatëse.

Si ndryshim të parë në arkitekturën e kishës është shtesa e një kapele në anën jugore me shumë mundësi në fundin e shek.13.

Faza e dytë duhet të jetë e lidhur me humbjen e portikut, i cili qarkonte kishën nga veriu, perëndimi dhe jugu, për shkak të një tërmeti në shek.16 (v. 1510 ndoshta edhe një në v. 1560). Në këtë kohë është bërë një restaurim pothuajse total me qëllim që të eleminoheshin pasojat dhe të përforcohej ajo që kishte mbetur pa rënë nga volumi i kishës. Në këtë moment është bërë një përforcim për kolonën cilindrike qëndrore me një pilastër masiv, mur guri, i cili edhe u dekorua më afresk. Ndërtimi i këtij blloku muri, i cili veshi në të katër anët kolonën origjinale cilindrike prej graniti u pasua edhe më shtesa harqesh, nën harqet origjinal që shkojnë sipas akseve veri-jug dhe lindje – perëndim të linjave ku takojnë kupolat.

Po në të njëjtën kohë duhet të jenë bërë ndryshimet edhe në fasada ku bie në sy, mbushja dhe nivelimi i pjesës së sipërme të faqeve të tyre duke fshehur linjën e frontoneve për secilën nga dritaret treshe. Krahas ndryshimeve në frontonet e dritareve treshe duhet të jenë hapur disa dritare teke në nivelet më poshtë tyre.

Faza e tretë i takon një shembje në anën lindore ku janë rrëzuar absidat origjinale. Rindërtimi i takon datës 1793, por këtë rradhë nuk u bë më me dy absida .

Faza e katërt i takon një shembjeje tjetër që ndodhi në një pjesë të murit verior në vitin 1845.

E gjithë situata e ndërhyrjeve dhe rindërtimeve do të sqarohet në mënyrë më të plotë kur të përmbyllen ndërhyrjet konsoliduese ndaj kishës.

Deri tani ndaj saj janë aplikuar dy faza ndërhyrjesh konservuese dhe pritet të vazhdohet me fazën e tretë ne mënyrë që gradualisht të futet në gjendjen e stabilizimit statik dhe strukturor, elemente keto, të cilat konstruksioni kishës i ka patur dhe i ka akoma si problemet kryesore. Gjendja aktuale në pritje të përmbylljes së ndërhyrjeve konsoliduese është jashtëzakonisht delikate. Zona lindore e bazës së tambureve ka probleme të theksuara për shkak se struktura dhe materiali që përbën muraturën është tejet e dobësuar dhe e varfër në lidhës.