25 Maji 2023

Lulzim Basha është rikthyer në skenën politike aktive, me 3 propozime të cilat sipas tij janë emergjencë kombëtare për t’u rikthyer besimin qytetarëve tek politika.

Basha tha se duhet të ketë lista të hapura për kandidatët që duan të përfaqësojnë qytetarët, vetting për politikanët dhe kufizimi i mandateve për qeveritë.

“Ftesa ime sot është mos t’u besojmë kryetarëve por përmes listave të hapura t’u besojmë qytetarëve. Të ndalim së besuari politikanëve dhe të marrim besimin në duart tona si qytetarë. Listat e hapura 100%.

Kam edhe dy propozime të tjera. Keni dëgjuar për akuzat dhe sulmet e përditshme që politikanët hedhin ndaj njëri tjetrit. Duhet vettingu i politikanëve, boll më me sharje nga mëngjesi deri në darkë. Secili që merr përsipër barrën e shërbimit publik duhet të jetë i hapur për hetim të aseteve personale. Vettingu i politikës është emergjencë kombëtare.

Asnjë kryeministër që nuk mund të arrijë premtimet e dhëna në 2 mandate, nuk mund t’i bëjë ata për një mandat të tretë. Pra kufizimi i mandateve është i domosdoshëm.

Gjithashtu edhe vota e emigrantëve, rreth 45% e bashkëatdhetarëve tanë nuk ndodhen sot në vend, janë larguar në mënyrë masive por nuk kanë të drejtën të shprehen me votë. Është vendim i GJK-së, duhet zbatuar”, shtoi Basha.

Po pse iku dhe u rikthye?

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë Lulzim Basha shpjegoi dhe arsyet se përse u shkëput përkohësisht nga jeta aktive në politikë, duke u shprehur se donte t’i jepte një shans bashkimit të demokratëve.

Ish-kreu i PD deklaroi se nuk është nga ata njerëz që i braktis misionet dhe shtoi se demokratët duhet fokusohen më shumë te hallet e qytetarëve dhe jo te debatet e brendshme.

“Tërheqja para një viti u bë për të mos ushqyer përçarjen dhe për ti dhënë një shans bashkimit. Për fat të keq kjo nuk ndodhi, por nuk kam hequr dorë kurrë për t’i lënë njerëzit në mes të rrugës. Ndonëse për hir të vendimit që mora për të mos influencuar preferova të qëndroj jashtë nuk do të thotë se jam stakuar me vendin PD dhe të ardhmen.

Kjo tërheqje më shërbeu për të parë dhe të vetja për të parë se sa kohë i dedikuam luftës me njëri-tjetrin dhe sa kohë halleve të njerëzve. Raporti duhet përmbysur, duhet të shkojmë te hallet e njerëzve. Niveli i debatit publik ka rënë përtokë dhe kjo është e qëllimshme.

Çfarë mund të debatosh me dikë që këndon tallava dhe ikën. Pyetja që shtrohet tani a do vazhdojmë të shohim teatër politik, apo do t’i kthejmë sytë nga 70% e qytetarëve që janë braktisur nga ky sistem”, u shpreh Basha.