Nga: Fatmira Nikolli.

 – Lenini, Stalini e të tjerë “shokë komunistë”, të realizuar si skulptura gjatë kohës së realizmit socialist, do të zhvendosen nga Galeria Kombëtare e Arteve pranë Ministrisë së Kulturës.
Ka qenë vetë ministrja që e ka konfirmuar lajmin, duke qenë e vetëdijshme se vendimi, mund të provokojë debate. “Puna me këto vepra do të provokojë debate mbi tema delikate, por, me kurajë, janë tema të cilat duhet t’i përballim vazhdimisht, të paktën brezi im që kaloi gjysmën e jetës në diktaturë e ka detyrimin t’i hapë e t’i përballë”- ka deklaruar ajo.

PARKU I ARTIT
Në vijim të bashkëpunimit të qëndrueshëm kulturor Shqipëri-Pulia, pas përmbylljes së projekteve ArtVision dhe Bienalja e Krijuesve të Rinj të Mesdheut Mediterranea 18, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Presidenti i Rajonit të Pulias Michele Emiliano, firmosën në datën 6 mars në Bari një tjetër marrëveshje kulturore dhe ekonomike për realizimin e projektit artistik “Shokë dhe engjëj” që synon ndërtimin e Parkut të Artit në kopshtin e ish-Kinostudios për të krijuar kështu një pol të ri artistik në të ashtuquajturën periferi e Tiranës.
Sipas një njoftimi të përcjellë nga zyra e shtypit të Ministrisë së Kulturës, “Turi dhe Tirana janë dy qytetet nga Pulia dhe Shqipëria, që përmes fillit të filozofisë së Antonio Gramsci-t, mendimtari italian me origjinë shqiptare, jo vetëm krijojnë fabulën e Parkut të Artit ‘Shokë dhe Engjëj’, duke rindërtuar qelinë e burgimit ku Gramsci shkroi Fletoret e famshme, por me ndërthurjen e instalacioneve të statujave të realizmit socialist të Galerisë Kombëtare të Arteve, ky projekt sjell një provokim të debatit të nevojshëm dhe ende të munguar mbi përballjen me të kaluarën tonë komuniste”.

 

“Këto statuja,-ka deklaruar Kumbaro, përdorimi i të cilave ka një valencë të fortë simbolike, që janë mbuluar e zbuluar, ulur e ngritur, admiruar e përçmuar, do duhet të gjejnë një vend të lexueshëm e të hapur ndaj debatit e reflektimit, edhe për të përfaqësuar një pikë ndalese në atë që e kemi quajtur Rrugët e Kujtesës”.
Sipas ministres, ky projekt, bashkë me ofiçinën e artit që synon restaurimin e makinave të vjetra të rekuizitës së Kinostudios dhe aktivizimin e artistëve të rinj, do të përtërijë edhe pëlhurën urbane të kryeqytetit duke krijuar një qendër të re arti, shoqërizimi e debati, por edhe atraksioni kulturor e turistik.
Kultura sipas saj, nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm prodhim e konsum i “qendrave” urbane, por një motor që e kthen “periferinë” në qendër dhe emancipon kështu Qytetin”.

Projekti është bashkëfinancim i Ministrisë së Kulturës dhe Rajonit të Pulias. Po kështu, ministrja Mirela Kumbaro dhe Presidenti Michele Emiliano ranë dakord edhe për bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit që këtë vit do të shtrijë kalendarin e turneve edhe në teatrot e Rajonit të Pulias.
Ministrja Kumbaro vizitoi edhe qelinë e Antonio Gramshit në burgun e Turit, ose “trëndafili i Turit”, e cila do të jetë një pikë simbolike e projektit “Shokë dhe engjëj”, që lidh të shkuarën me të sotmen.

Gazeta Shqiptare.