Nga Anila Omari

Në fushën e interesit të Austro-Hungarisë për formimin e kombit shqiptar në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, një nga aspektet më të rëndësishme ishte çështja e një gjuhe të përbashkët shqipe për gjithë shqiptarët, si mjeti kryesor për bashkimin kombëtar në rrethanat e nevojës politike të Austro-Hungarisë për nxitjen e ndjenjës kombëtare te shqiptarët. Ky program politik i Monarkisë austro-hungareze kishte për qëllim të krijonte një Shqipëri të bashkuar si kundërpeshë ndaj Serbisë dhe frenim të pansllavizmit që përkrahej nga Rusia.

Nga dokumentacioni shumë i pasur burimor arkivor del i qartë roli nxitës i Monarkisë së dyfishtë nëpërmjet diplomatëve të saj për një gjuhë të përbashkët shqipe dhe një alfabet të njësuar të shkrimit të saj. Omari tha se ndër emrat më të spikatur, që ushtruan ndikim veçanërisht në çështjen e gjuhës shqipe, ishin Theodor Ippeni dhe August Krali, njohës të mirë të gjuhës, zakoneve dhe karakterit të shqiptarëve, që arritën të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të ulin palët në bisedime për arritje kompromisi. Sipas saj, vija konstante që përshkon qëndrimin austro-hungarez edhe për sa i përket gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj është synimi për të bashkuar shqiptarët, përfshirja e të gjithë faktorëve relevantë për çështjen kombëtare pa dallime fetare a krahinore, vështrimi kombëtarist i çdo përpjekjeje për zgjidhjen e problemeve të ndryshme.

Prof.Dr.Omari tha se i njëjti qëndrim vihet re edhe në përpjekjet për një gjuhë të njësuar letrare shqipe, tashmë në rrethanat e ndryshme të pushtimit austro-hungarez të Shqipërisë në vitet 1916-1918. Në Komisinë Letrare të krijuar me nismën e August Kralit dhe me vullnetin e patriotëve shqiptarë në 1916 u konfirmua vendimi i Kongresit të Elbasanit për dialektin e këtij qyteti si bazë e gjuhës e përbashkët letrare e të gjithë shqiptarëve. Ky ishte i pari dekret për shqipen si gjuhë zyrtare dhe drejtshkrimin e saj. Nga dokumentet e botuara del në pah edhe në këtë çështje roli vendimtar i përfaqësuesit austro-hungarez për bashkimin e shqiptarëve.

Studimi i prof.dr.Omarit u bë publik më 27 janar  kur ajo mori pjesë në konferencën shkencore me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”, të organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Austriake. Ajo referoi kumtesën me temë: “Çështja e gjuhës së përbashkët shqipe dhe ndikimi i diplomacisë austro-hungareze në të”.