Foto: Ylli Rrapi

Me plot zell Ylli Rrapi më tregoi rreth e rrotull objektit, sfidat përgjatë ndërtimit e detajet historike të kishës. Edhe pse është dashur të rindërtohët nga themelet, kisha i përmbahet traditës së ndërtimit të Shqipërisë së Naltë, por në veçanti ngjall kureshtje simbolika e saj.
Dritaret nga jashtë ndjekin stilin gotik me një kulm të mprehtë, kurse nga brënda dritaret janë në formën e harkut romak. Unë nuk jam specialist i fushës por më ngjason deri diku me kishën e vjetër të Vaut të Dejës, që shqiptarët mbase e njohin nga kartmonedha prej 10-mijë lekësh (të vjetra).

Ka qenë një kishë këtu ne Kryezi, që ishte e shenjtë si për katolikët si për myslimanët e kësaj zone” shpjegon Ylli. Komunistat e shkatërruen bashkë me lisat e qarrat shekullor për të krijuar një dylym tokë më shumë për kooperativën”.

Mësoj që lisat e vjetër të qarrit konsideroheshin si monument kulture.
Thuhet që kisha e vjetër qëndronte aty që prej më shumë se 800 vjetësh. Relacioni i Frang Bardhit i vitit 1637 e përshkruan këtë kapelë bashkë më lisat e mëdhenj. Yllit i është dashur të bëjë kompromis me shumë gjëra por në shumë detaje ai i ka qëndruar besnik historisë.

Me shumë kujdes ai i ka gjurmuar gurët e kishës së vjetër tashmë nëpër mure mbajtëse të arave përreth ose të varrosur në dhè nga dekadat duke i pastruar për ti vendosur në cakun që ju takon. Dritaret janë një shembull. Por gjëja më mbresëlënëse janë dy gurët e qoshes që mbajnë mbi shpatulla harkun sipër portës në hyrje të objektit. Njëri nga këto mbart shenjën e kryqit, tjetri mbart një “X”

Ylli thotë që këta gurë “tregojnë sa e vjetër është [kisha]”. Pas pak hetimeve nëpër internet konfirmova që shenja “X” u përdorte në kishat e hershme bashkë me kryqin.
Në një vënd si Shqipëria ku historia pak respekt gjen, të bëhet zemra mal kur sheh që këto detaje të rëndësishme nuk i shpëtojnë syrit të mjeshtrit.
Ylli më shpjegon që kjo kishë e dedikuar Shën Prendës [Venera, Veneranda] ka një vend të veçantë në këto anë sepse këtu vinin e luteshin njerëz që kishin probleme me lindjen e fëmijëve, përfshi edhe myslimanët.
“Për sa kohë që mbaj mend unë” – thotë Ylli, “këtu nuk është varrosur kush”. Lidhja më Shën Prendën e problemeve të fertilitetit të bën të kuptosh pse kisha është e rëndësishme si për myslimanët, ashtu edhe për katolikët.
Përveç kishës së Shën Prendës, në Kryezi ka dy kisha të tjera e dy xhami. Harmonia fetare është për tu marrë shembull si kudo në Shqipëri. Ylli më duket besimtar po nuk është nga ata njerëz që ia dedikojnë jetën fesë siç ishte shembulli i spanjollit që përmenda në fillim të këtij shkrimi.
E pyeta se cfarë e motivoi atë për t’i hyrë kësaj pune me gjithë ato shpenzime. Ylli shpjegon që “ky monument u prish nga regjimi [komunist]. E kam ndërtuar që ta gëzojnë brezat që vijnë, këtu e 800 vjet të tjera”.
Qartazi, Ylli e ka bërë gjithë këtë punë për t’i rikthyer komunitetit diçka që më parë i ishte privuar nga diktatura – mbase besimi ka një rol dytësor këtu. Më duket se Ylli ndërtoi këtë ‘tempull’ për të sjellë njerëzit së bashku, nëpërmes sharmit mistik e historisë së cilës nuk i njihet pikë-nisja.
Po për sa i përket brezave që do vijnë? Djemtë e nipat e Yllit jetojnë e punojnë në Itali, ata do ta gëzojnë kishën pak ditë në vit. Fatkeqësisht, Liza (gruaja e Yllit) nuk është më në mes nesh. Ylli jeton i vetëm në një kullë 3.5 katëshe që mund të ishte pallati i ndonjë aristokrati (të cilën ai e ka ndërtuar vetë, natyrisht). Një njeri i vetëm. Një njeri për të gjithë. A nuk do të thotë kjo që gjesti i tij është një altruizëm i pastër?
Kësaj vepre ai do t’i shtojë disa qiparisa (selvia) për ta quajtur të kryer. Edhe këto ai mendon t’i paguajë me pensionin e vet.

Mësova që familja e tij hapi dyert e shtëpisë (një kullë e vjetër e ndërtuar sipas traditës e cila qëndron edhe sot) për ta kthyer atë në shkollën e parë të fshatit Kryezi, Puke, në vitet ’30. Kjo më bën të besoj që në familjen e Yllit rrjedh një shpirt komunitar. Do kisha dashur që më shumë shqiptarë të jenë si Ylli e familja e tij.
I shtrëngova dorën e fortë edhe një herë këtij burri të vogël por punë-madh e shpirt-madh. Ndjehem i frymëzuar nga ky njeri që ndërtoi një monument për lirinë e ri-fituar, një tempull për komunitetin – në moshën 82-vjecare. Akti i Yllit është një gjest altruizmi komunitar i pashoq. Sikur më shumë njerëz nëpër botë të ishin si ai!