Kryeministri shqiptar shton drekat e luksit dhe hotelet me 5 yje për qeverinë e tij

21 Gusht 2026
Në një kohë kur shumica e familjeve shqiptare përballen çdo muaj me sfidat e kostos së jetesës, rritjen e çmimeve të shportës dhe menaxhimin me vështirësi të faturave Mujore, Këshilli i Ministrave ka miratuar një kuadër të ri normativ që rrit në mënyrë të konsiderueshme plafonin e shpenzimeve për udhëtimet e zyrtarëve të lartë jashtë vendit. Me anë të vendimit të miratuar më 30 korrik 2026, qeveria ka rishikuar pas 15 vitesh rregullat e përcaktuara që nga viti 2011, duke zyrtarizuar akomodimin në hotele luksoze dhe rritjen e dietave ditore që do të mbulohen drejtpërdrejt nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Rregullorja e re përcakton hierarkinë e akomodimit dhe të gjitha përfitimet financiare që do të marrin zyrtarët gjatë udhëtimeve për arsye pune.
Luksi me 5 yje, dietat ditore dhe të gjitha shpenzimet e mbuluara nga shteti
Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave specifikon qartë nivelin e akomodimit, dietat ditore për ushqim dhe procedurat e mbulimit të çdo fature zyrtare:
Akomodimi në hotele me 5 yje: Kryeministri, Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit do të mund të akomodohen në hotele me pesë yje sa herë që udhëtojnë jashtë Shqipërisë për qëllime pune. Të njëjtin standard luksi do ta gëzojnë edhe zëvendëskryeministri, zëvendëskryetari i Kuvendit, ministrat si dhe çdo nëpunës tjetër publik që gëzon pagë të barabartë ose më të lartë se ata.
Akomodimi në hotele me 4 yje: Në këtë kategori përfshihen deputetët, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, ambasadorët, konsujt e përgjithshëm dhe të ngarkuarit me punë në përfaqësitë diplomatike. Po ashtu, hotele me katër yje do të shfrytëzojnë drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive në ministri apo institucione të tjera qendrore.
Administrata publike: Nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të administratës do të akomodohen në hotele të kategorisë deri në tri yje.
Kompensimi ditor për ushqimin (Dietat):
Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit: Do të marrin nga 120 deri në 150 euro ose dollarë në ditë, në varësi të shtetit që vizitojnë.
Zëvendëskryeministri, Zëvendëskryetari i Kuvendit dhe Ministrat: Dieta ditore do të luhatet nga 80 deri në 120 euro në ditë.
Deputetët, Zëvendësministrat dhe Sekretarët e Përgjithshëm: Do të përfitojnë përkatësisht 80, 75 ose 70 euro në ditë.
Diplomatët dhe Drejtorët: Ambasadorët, konsujt e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët në institucionet qendrore do të marrin 60, 55 ose 50 euro në ditë.
Nëpunësit e tjerë: Do të përfitojnë nga 45 deri në 55 euro në ditë.
Mënyra e pagesës dhe shpenzimet që mbulon ose jo Buxheti i Shtetit
Biletat e avionit vajtje-ardhje dhe akomodimi në hotel duhet të rezervohen dhe të paguhen drejtpërdrejt nga institucioni ku punon zyrtari. Në rast se institucioni nuk arrin ta sigurojë paraprakisht hotelin, punonjësi ka të drejtë ta rezervojë dhe paguajë vetë, për t’u kompensuar më pas kundrejt faturës përkatëse. Pjesa tjetër e shpenzimeve që lidhen me udhëtimin u kalon zyrtarëve si paradhënie në llogarinë bankare përpara nisjes.
Buxheti i shtetit do të mbulojë gjithashtu transportin drejt dhe nga aeroporti, udhëtimet ndërmjet qyteteve kur lidhen me aktivitetin zyrtar, tarifat rrugore, siguracionin shëndetësor në udhëtim, vizat dhe taksat e tjera të detyrueshme në vendin pritës. Megjithatë, jo çdo shpenzim do të përballohet nga paratë publike: telefonatat nga hoteli ose telefoni personal, konsumi në mini-bar dhe transporti urban brenda qytetit duhet të paguhen nga vetë zyrtari ose punonjësi.
