26 Shtator 2026

Një stuhi e fuqishme politike ka përfshirë kryeministrin Edi Rama, i cili po përballet me goditje të njëpasnjëshme nga dosjet e nxehta të zyrtarëve “VIP” që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), goditjen e ish-shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hysenit sa i takon aferavë të këtij institucioni me krimin e organizuar dhe zemërimin e hapur të diasporës shqiptare. Tensionet arritën pikën më kritike gjatë vizitës së tij në New York, ku një grup bashkatdhetarësh e pritën kryeministrin Rama me protesta të ashpra dhe e qëlluan me vezë jashtë hotelit më luksoz “Hôtel Barrière Fouquet’s” New York, i vendosur në lagjen e famshme zëmër të metropolit amerikan Manhattan, ndërsa ai po akomodohej në suita e mjedise elitare, duke rrezatuar “jetë mondane”, shifër kjo që shkon mijëra dollarë dhe që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë. I tërbuar nga kjo pritje armiqësore dhe akuzat për shpenzime marramendëse në restorantet e luksit amerikan, kreu i qeverisë ka kaluar çdo kufi etik duke shpërthyer në gjuhë të degraduar e vulgare në rrjetet sociale.

Në vend që të jepte llogari për paratë e publikut apo për skandalet e njëpasnjëshme që po tronditin kabinetin e tij, Rama zgjodhi t’u përgjigjej qytetarëve protestues me terma fyes si “pula histerike”, “gjela tallagjarë” dhe “sqepë” që shkruajnë me “këmbët e pulës”. Ky reagim i pazakontë dhe tepër agresiv tregon qartë nervozizmin e thellë që ka kapluar kryeministrin përballë presionit të drejtësisë së re dhe izolimit nga diaspora. Por pavarësisht përpjekjeve të tij për ta shitur punën e qeverisë si një sukses në luftën kundër korrupsionit, gjuha e përdorur zbuloi një udhëheqës të tronditur nga fakti se revolta ndaj pushtetit të tij po e ndjek deri në rrugët e New York-ut. Megjithatë skandali i akomodimit super-luksoz në SHBA vetëm sa e ka thelluar hendekun mes luksit të pushtetarëve dhe krizës ku jetojnë shqiptarët. Ndërkohë që SHISH dhe SPAK po shtrëngojnë lakun rreth dosjeve të korrupsionit shtetëror, sulmet e pamaturat të Ramës ndaj qytetarëve me ironi folklorike po shihen si një tentativë e dëshpëruar për të zhvendosur vëmendjen nga hetimet e mëdha. Pra kjo përplasje publike len të kuptohet se presioni ndërkombëtar dhe ai i brendshëm po e çojnë pushtetin e tij drejt një krize të paparashikueshme besimi.

Reagimi i plotë i Ramës

“Këtyre që mbulohen me flamurin kombëtar dhe çarten rrugëve si pula histerike, u them vetëm se atë flamur e kam ngritur më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë në sytë e botës. Kurse atyre që kujtojnë se do më ndalin me baltë, vezë dhe jargë, në misionin tim për ta çuar flamurin tonë në majën e Europës së Bashkuar, u them se nëse për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një sistem institucional që shfaq aftësi vetëpastrimi, kjo është një arritje e madhe që nuk ka rënë nga qielli po ka ardhur pikërisht si një nga rezultatet e këtij misioni! Dhe le ta dëgjojnë e ta mbajnë mirë vath në vesh meqë kujtojnë se mposhtem unë dot me “bombat çudibërëse” që amplifikojnë në kupë të qiellit ditë e natë fjalën korrupsion: Në një vend që është i mbytur në kënetën e korrupsionit, nuk ka luftë frontale e as rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe atë vend e kemi jetuar ne, që të gjithë, deri kur unë me partinë time e kthyem rrotën e drejtësisë nga barazia e të gjithëve para ligjit!

Sot Shqipëria nuk është më ai vend e prandaj edhe Bashkimi Europian e çmon gjithnjë e më shumë Shqipërinë për këtë luftë, ndërkohë që pulat histerike të katundit tonë kakarisin e hedhin vezë në ajër për llogari të gjelave tallagjarë të pazarit politik e mediatik, të cilët i gënjen mendja sa një vezë, se do të më ndalin mua me llogjet e pafundme për korrupsionin që po luftohet nga vetë sistemi që po ndërtojmë, apo me sharjet e mallkimet folklorike si të këtij sqepit bashkëngjitur, që e shkruan shqipen me këmbët e pulës”, u shpreh dje kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në platformën “X”.