23 Mars 2023

Fushata politike në Shqipëri në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit, ka nisur edhe pse jo ‘zyrtarisht’, por një rast i pazakontë është shënuar pasditen e djeshme ku kryebashkiaku i Kavajës, Redjan Krali siç duket edhe nga fotoja e publikuar, ka zgjedhur të marrë rolin e ‘imamit’ teksa ka mbajtur fjalim brenda xhamisë së re të hapur në Synej. Krali shihet me mikrofon në dorë ndërsa u drejtohet besimtarëve mes të cilëve shihet i ulur edhe deputeti i PS, Etjen Xhafaj i cili së fundmi shoqëron Kralin gjatë takimeve të tij me qytetarët në Kavajë ku edhe ka marrë mandatin si ligjvënës.

Kryebashkiaku mbajti edhe fjalën e tij, teksa uroi besimtarët për nisjen e muajit të Ramazanit.

“Selam Alejkum të gjithëve, iu falënderoj për ftesën, nuk do zgjatem dhe shumë, ju uroj për muajin e madhërishëm për muajin e sakrificave, Allahu ua mundësoftë dhe ua pranoftë”- tha Krajli.

Kujtojmë se që prej janarit të këtij viti, KQZ njoftoi nisjen e monitorimit për të ndaluar promovimin e investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike duke e konsideruar si veprimtari politike zgjedhore. Sipas KQZ-së pjesëmarrja e punonjësve të administratës brenda orarit zyrtar të punës në këtë lloj veprimtarie konsiderohet shkelje e dispozitave të Kodit Zgjedhor.

Gazeta Sot