Spartak Ngjela: – Reforma territoriale pa referendum është krim, Rama po zbaton axhendat e Beogradit dhe Parisit

Spartak Ngjela
10 Tetor 2026
Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me prapaskenat e reformës territoriale dhe shkrirjen e 15 bashkive në vend. Përmes dy reagimeve të ashpëra, avokat Ngjela e cilësoi këtë lëvizje pa referendum popullor si një krim të mirëfilltë kushtetues dhe ligjor.
Ai paralajmëroi se kjo reformë nuk i shërben interesit kombëtar, por përmbush drejtpërdrejt axhendat e favorshme për Beogradin dhe mecenatët e tij në Paris. Sipas avokatit, Rama po tregon mosnjohje të thellë të ligjeve dhe Kushtetutës duke anashkaluar vullnetin e drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Ngjela ngriti dyshime të forta mbi mungesën e plotë të një studimi fizibiliteti që do të vërtetonte nëse ky bashkim sjell progres apo regres. Ai nënvizoi se asnjë sqarim apo argument zhvillimor nuk i është paraqitur opinionit publik për fshatrat dhe qytetet e prekuara.
Ndryshimet administrative u kaluan si urdhra politikë të ekzekutivit në Kuvend, pa asnjë konsultim real me banorët lokalë. Juristi i njohur theksoi se historikisht reformat e ndërmarra pa studim të mirëfilltë janë dënuar me dështim të plotë. Në mbyllje, Ngjela apeloi për vigjilencë ndaj veprimeve të pushtetit që cenojnë stabilitetin dhe të ardhmen e zhvillimit kombëtar.
Reagimi i parë i avokat Spartak Ngjelës
“Reforma territoriale miratohet vetëm me referendum.
Rama duhet të ketë kujdes se Parisi dhe Beogradi janë dhe kanë qenë kundershtrë të çështjes kombëtare të Shqipërisë. Reforma territoriale që ka përgatitur Rama, është kërkesë e kundërshtarëve të intetesit të Shqipërisë. Kujdes Rama, se ti nuk e njeh as kushtetutën e as ligjin. Reforma territoriale e miratuar pa referendum popullor, është krim në të gjithë Evropën Perëndimore, por edhe në SHQIPËRI”, shkruan Ngjela.
Reagim i dytë i avokat Spartak Ngjelës
“Dje, me ligj, u shkrinë 15 bashki nga Kuvendi i Shqipërisë, sipas një skeme të bashkimit të tyre territorial Qeveria nuk na paraqiti asnjë studim: ky bashkim do të sjellë progres, apo regres? Këtë bashkim e pranuan edhe banorët e bashkive që u bashkuan. Po qeveria e Tiranës, a duhet t’i japë opinionit publik arsyet progresive të këtij bashkimi?
Deri tani asgjë. Opinioni publik nuk di asgjë, kurse jeta është e përbashkët, kur flitet për historinë e një kombi apo të një shteti. Nuk mund të themi a priori se nuk mund të jetë pozitiv në funksion të zhvillimit ky bashkim, por mungon studimi qe i duhej paraqitur opinionit publik në qytetet dhe fshatrat ku u bë bashkimi.
Po kryeministri Rama? Pikërisht këtu mbetet dyshimi, sepse kryeministri Rama dyshohet nga opinioni se vijimisht ka kryer veprime të dyshimta për zhvillimin kombëtar. Po bashkimi u krye me vullnet qytetar nëpërmjet një votimi, apo ishte urdhër i qeverisë Rama për t’u votuar si ligj në Kuvendin e Shqipërisë?!
Deri tani, asgjë nuk kemi parë në këtë drejtim. Atëherë? Duhet pritur të shihet se çfarë do të na sjellë kjo reformë. Por një gjë është e vertetë se: Reformat pa studim, si rregull, kanë dështuar”, nënvizoi avokat i njohur, Spartak Ngjela.
