23 Shtator 2022

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, u bëri thirrje qytetarëve rusë të mërkurën që të mos kenë frikë nga vdekja, pas thirrjes së Presidentit Vladimir Putin për mobilizim ushtarak për luftën në Ukrainë.

“Shkoni me guxim për të përmbushur detyrën tuaj ushtarake. Dhe mbani mend se nëse jepni jetën për vendin tuaj, do të jeni me Zotin në mbretërinë e tij, lavdinë dhe jetën e përjetshme”, tha ai në një predikim në Manastirin Zachatyevsky, në Moskë.

Kirill, i cili ka justifikuar vendimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën në shkurt mbi baza shpirtërore dhe ideologjike, i bëri këto komente menjëherë pasi zyrtarët rusë thanë se deri në 300,000 rezervistë do të thirreshin për të luftuar. Kirill deklaroi gjatë predikimit të tij se një person që ka “besim të vërtetë” nuk i nënshtrohet frikës së vdekjes.

Sipas tij, njeriu bëhet i “pamposhtur” kur tek ai ka një “dimension të fortë që lidhet me përjetësinë”, ku ai pushon së pasuri frikë nga vdekja.

“Besimi e bën njeriun shumë të fortë, sepse e transferon vetëdijen e tij nga përditshmëria dhe shqetësimet materiale, tek kujdesi për shpirtin, në përjetësi. Përkatësisht, frika nga vdekja e dëbon luftëtarin nga fusha e betejës, i shtyn të dobëtit në tradhti dhe madje të rebelohen kundër vëllezërve të tyre. Por besimi i vërtetë e shkatërron frikën nga vdekja”, u shpreh ai.

Udhëheqësi i Kishës Ortodokse Ruse ka ngritur më parë idenë se ukrainasit dhe rusët janë një popull.

Gazeta Sot