23 Gusht 2026

Ditën e sotme zjarret janë kthyer sërish në Krastë të Krujës.

Forca të shumta zjarrfikëse të Krujës, Kamzës dhe Vorës, si dhe një helikopter i Forcave Ajrore janë angazhuar në shuarjen e vatrave të zjarrit.

Vatra e zjarrit në Halil, buzë rrugës nacionale që të çon në Krujë është shuar, ndërsa aktualisht është vetëm një vatër aktive në brendësi të gurores. Po punohet për shuarjen e saj me shërbimin zjarrfikës të Krujës dhe emergjencat civile.

Dyshohet se gjatë ndërhyrjes së zjarrfikësve në Krastë ka pasur dhe të shtëna me armë zjarri për të ndaluar operacionin kundër zjarrit.

Pas kësaj është njoftuar policia e Krujës, ndërsa ka vijuar puna për vënien nën kontroll të flakëve.

Sipas dyshimeve të ngritura nga banorë të Krujës, zjarri mund të jetë i qëllimshëm dhe lidhet me pastrimin e territorit dhe hapjen e sipërfaqeve të reja për kultivimin e kanabisit sativa.

Rrethanat e ngjarjes dhe autorësia e të shtënave janë nën verifikimin e policisë.