20 Gusht 2026
Nga Nertila Maho
Në Tiranë, planet për blerjen e një banese janë më afër iluzionit sesa realitetit për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kryeqyteti shqiptar renditet i katërti në Europë për papërballueshmërinë e banesave, sipas raportit çmim – të ardhura. Ekspertët e politikave të strehimit shprehen se qendra e Tiranës dhe qytetet bregdetare po shndërrohen në “hotele” për të huajt, duke përjashtuar gjithnjë e më shumë shtresat e mesme dhe ato të ulëta nga mundësia për të pasur një shtëpi. Rritja e kërkesës nga turizmi, nomadët digjitalë dhe pensionistët e huaj kanë krijuar presion të jashtëzakonshëm mbi tregun e qirave dhe çmimet e pasurive, duke i bërë ato të papërballueshme për shumicën e shqiptarëve. Paraja informale dhe spekulimet e pasurive kanë përshpejtuar këtë proces, duke e kthyer ndërtimin e banesave nga një nevojë sociale në një aktivitet biznesi të pastër. Në këtë panoramë, shteti mbetet indiferent, ndërsa politikave të strehimit u mungon vizioni për të garantuar aksesin në strehim për të gjithë qytetarët.

Juliana T., 40 vjeçe, lindi në Tiranën e vitit 1986, në një apartament modest 1+1 te zona e Selvisë, ku hodhi hapat e saj të parë, u rrit dhe ndërtoi kujtimet e fëmijërisë. Për familjet e asaj kohe, një apartament i vogël në qendër ishte jo luks, por normalitet ku kishe afër shkollën, punën dhe një komunitet që njihej me emra, jo me kontrata qiraje.

Sot, ajo jeton në Yzberisht, në periferi, me qira. Nënë e katër fëmijëve dhe me një mendim që dikur do t’i dukej i paimagjinueshëm: të largohet nga Tirana.

“Nuk po e njoh më Tiranën time”, – thotë ajo. “Është normale të kemi zhvillim dhe të shohim gjëra të reja. Por nuk është normale të zhduket identiteti. Lagjja ku jam rritur nuk është më e njëjta. Njerëzit janë larguar, shumica e apartamenteve janë kthyer në qira afatshkurtra, njerëzit ndryshojnë çdo vit. Nuk ka më komunitet”.

Problemi në këtë rast nuk është vetëm sentimental. Ai është thellësisht ekonomik. Në një qytet ku kullat ngrihen më shpejt se pagat, strehimi është kthyer nga qëllim i një familjeje, në një luks ku spekulimi ka peshën e tij. Për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ideja e blerjes së një apartamenti me kredi është gjithnjë e më pak një plan dhe gjithnjë e më shumë një iluzion.

“Edhe po të punosh në emigrim, sot nuk e blen dot një shtëpi në Tiranë”, thotë Juliana. Një familje me katër fëmijë nuk mund të jetojë në një apartament 1+1, por as në një 2+1 nuk është më lehtësisht i arritshëm. Dhe ajo refuzon të paguajë “çmime stratosferike për standarde si para 15 vitesh”.

Tirana, qyteti që për dekada tërhoqi pranë vetes njerëz nga e gjithë Shqipëria, po përballet me një paradoks të ri: po bëhet gjithnjë e më e vështirë për vetë tiranasit të jetojnë në të. Sot, për shumë familje, po kthehet në qytetin që duhet ta lënë pas. Edhe Juliana po mendon të bëjë të njëjtën gjë.

“Në momentin e parë që do të gjej një shtëpi diku tjetër, do të iki, pa e kthyer kokën pas”, thotë ajo.

Si shtresa e mesme dhe ata me të ardhura të ulëta po “dëbohen” nga qyteti

Doris Andoni, sot konsulente e pavarur e angazhuar me institucione ndërkombëtare, me një karrierë të gjatë në administratën publike në çështjet e strehimit, e sheh situatën gjithmonë e më të vështirë për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato të mesme.

“Zhvillimi i sektorit rezidencial është thellësisht i pabalancuar, i paplanifikuar, i përqendruar në qendër dhe brenda Unazës së Dytë, i orientuar ekskluzivisht drejt fitimit të menjëhershëm. Investimet bëhen spontanisht, pa vizion urban, duke gëlltitur hapësirat e gjelbra dhe ato rekreative, jetike për cilësinë e jetës, duke mbingarkuar infrastrukturën, trafikun dhe çdo shërbim publik.

Dhe mbi të gjitha, duke krijuar një sistem strehimi plotësisht të papërballueshëm për shtresat e varfra dhe të mesme”, pohon ajo në një intervistë për “Monitor”. Ndër të tjera, ajo thekson se ndërtimet që po realizohen në qendër të Tiranës po eliminojnë jo vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, por edhe shtresën e mesme.

“Këto shtresa po dëbohen nga qyteti dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar një përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar. Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal.

Kjo e dëmton ndjeshëm cilësinë e jetës në qytet – dhe është një nga çështjet që sot diskutohet gjerësisht në të gjitha rrethet profesionale: ndërtimet e larta dhe fasadat e ndritura nuk bëjnë qytet; qyteti bëhet nga njerëzit që e banojnë dhe e jetojnë atë”, shprehet znj. Andoni.

Qendra e qytetit nuk duhet të jetë luks i vetëm një kategorie, e “pasanikëve” që mund të përballojnë çmimet dhe të turistëve të vendosur në apartamente me qira afatshkurtër. Në parimet e qytetit të qëndrueshëm, ai u takon të gjithëve dhe shteti përmes politikave sociale të strehimit e mbështet këtë akses edhe për ata që nuk mund ta përballojnë.

“Dëbimi”

“Shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme po dëbohen nga qyteti dhe ky është një nga dëmet më të mëdha që po i bëhet jetës urbane, duke krijuar një përqendrim të vetëm një kategorie të caktuar. Për momentin, kjo mund të mos jetë e dukshme, por do të bëhet e qartë kur të përfundojnë ndërtimet dhe të banohen, ose kur të mos banohen, sepse ka shumë mundësi që një pjesë e madhe të mbeten të pashitura ose të kthehen në Airbnb, me karakter thjesht sezonal. Kjo e dëmton ndjeshëm cilësinë e jetës në qytet – dhe është një nga çështjet që sot diskutohet gjerësisht në të gjitha rrethet profesionale: ndërtimet e larta dhe fasadat e ndritura nuk bëjnë qytet; qyteti bëhet nga njerëzit që e banojnë dhe e jetojnë atë”