7 Prill 2024

Ashtu siç kishte shprehur angazhimin edhe më herët, Kosova ka dërguar disa ndihma ushtarake për Ukrainën, e cila prej më shumë se dy vitesh po përballet me një sulm të paprecedent nga Rusia, fundi i së cilit ende nuk shihet.

Në një intervistë për mediat turke, ministri kosovar i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaroi se Kosova synon t’i ofrojë ndihmë Ukrainës në luftën e saj për liri, ndonëse kontributi është modest.

“Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, theksoi Maqedonci.

Që nga fillimi i agresionit rus, Kosova ka qenë në krah të Ukrainës, duke strehuar disa gazetarë ukrainasë e duke iu bashkangjitur sanksioneve të perëndimit ndaj Rusisë.