Shaqir Hoti

Kolegët nderojnë Shaqir Hotin: – Njeri i papërsëritshëm, me vlera të mëdha kombëtare

11 PRILL 2021

Kolegë dhe bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe pranë fotografisë së artistit të madh, Shaqir Hoti i cili vdiq mbrëmjen e së shtunës.

Vdekjen e tij po e vlerësojnë si humbje të madhe për folklorin dhe në përgjithësi për kombin shqiptar.

Muzicientët dolën të dielën para Teatrit Kombëtar për t’i dhënë lamtumirën e fundit mësuesit dhe frymëzuesit të tyre.

Këngëtari Ilir Shaqiri tha se nga Shaqir Hoti mësuan shumë gjëra, mbi të gjitha mësuan folklorin burimor shqiptar.

Ai kërkoi që pasurinë e trashëgimisë kulturore të cilën e la pas baca Shaqë të mblidhet nga institucionet tona të kulturës dhe të gjitha të bëhen bashkë në Muzeun Kombëtar.

Shaqiri: Ne arritëm që të marrin shumë nga ky njeri tepër i urtë

“Baca Shaqë siç e quanin ne muziktarët e Kosovës është njeriu i cili na mësoi shumë gjëra dhe na i mësoi ato që nga rrënja për folklorin tonë burimor, për folklorin e lashtë shqiptar në përgjithësi. Ne arritëm që të marrin shumë nga ky njeri tepër i urtë, profesionistë, i veçantë, i papërsëritshëm, në kuptimin e asaj nuk e kemi edhe një të këtillë sepse ai vet ndërtonte instrumentin, vet e punonte, krijonte melodinë mbi atë instrument, interpretonte, e shkruante atë melodi atë këngë dhe na jepte ne si dhuratë që ta plasojmë më tutje te shoqëria e gjerë. Unë uroj që ajo pasuri e trashëgimisë sonë kulturore të mblidhet nga institucionet tona të kulturës dhe të gjitha të bëhen bashkë në muzeun tonë Kombëtar”, tha ai.

Homazhe bëri edhe ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri, i cili Shaqir Hotin e vlerësoi si një njëri me vlera të veçanta kombëtare që i dha shumë muzikës shqiptare.

Instrumente muzikore te punuara nga Shaqir Hoti

Valton Beqiri: Ne humben sot një njeri me vlera të veçanta kombëtare

“Ne humben sot një njeri me vlera të veçanta kombëtare dhe jo vetëm. një njeri të butë, të urtë, të sinqertë, të dashur, por edhe një artist të vërtetë. Një njeri që diti dhe arrit të ruajë vlerat e muzikës sonë shqiptare. Një njeri që kurrë nuk thoshte jo dhe i jemi mirënjohës për të gjitha veprat që i ka lënë pas”, tha ai.

E për diekend Shaqri Hoti ishte motiv që të vazhdojë karrierën në muzikë.

Fatmir Makolli, instrumentalist, pasi bëri homazhe tha për KosovaPress se vdekja e Hotit është një humbje e pakompenzueshme.

Fatmir Makolli: Vdekja e bacës Shaqë është një humbje e pakompensueshme

“Bacën Shaqë ka 40 vite që e njoh, prej kur kam qenë si fëmijë. Diku në moshën 18 vjeçare kur pata shkuar në Radio Prishtinë, për t’i incizuar disa melodi me çifteli. Aty e mbaj mend që pat pritur baca Shaqë atëherë punëtor i ish-RTP-së dhe kur i dëgjoj meloditë e mia u afrua dhe më tha: djalosh mos e lësho çifteli prej dore, je në rrugë të mbarë. Ato fjalë të tij kanë qenë për mua një impresionim që kanë shërbyer si motiv për mua që të vazhdoj dhe të merrem me çifteli dhe më vonë iu kam bashkëngjit bacës Shaqë me bashkëpunime me instrumentet e tija. Mendoj që vdekja e bacës Shaqë është një humbje e pakompensueshme për familjen, komunitetin artistik dhe për muzikantët në përgjithësi”, tha ai.

Shaqir Hoti ishte njëri prej kultivuesve më të mëdhenj të repertorit tradicional/folklorik me mbi 180 komponzime – me këngë e valle por edhe me bashkëpunime të ndryshme në projekte për kolona zanore.

Shaqir Hoti

Ai ishte nismëtar i zejes së krijimit të instrrumenteve muzikore dhe me duart e tij krijoi mbi 1000 sosh. Njihet në veçanti për kultivimin e okarinës – të parën prej dheu që e krijoi në vitin 2010 për të vazhduar më tej me shumë të tjera formash dhe madhësish të ndryshme.

Ishte shpikës dhe inovator i shumë llojeve të reja të instrumenteve frymore me bazë në instrumentet ekzistuese folklorike të Kosovës.

Gazeta Bota Sot