“E paprecedentë”/ Alibeaj nga PD: – Edi Rama dhe PS përdorin të dhënat personale nga portali e-Albania për të…

11 Prill 2021

Partia Demokratike e konsideron skandal përdorimin e të dhënave personale nga ana e Partisë Socialiste, duke shfrytëzuar sipas saj të dhënat e portalit shtetëror e-Albania.

Kandidati për deputet, Enkelejd Alibeaj theksoi se në mënyrë të paprecedentë, në Selinë e PS janë vendosur kompjutera dhe servera që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve.

Ai theksoi se rasti do të ndiqet në mënyrë ligjore, duke shtuar se pas 25 prillit, shqiptarët do të kenë një qeverisje që kujdeset për ta.

Alibeaj: Përdorimi i të dhënave personale të portalit e-Albania nga Edi Rama dhe PS është shkelje flagrante e privatësisë së qytetarëve.

Në mënyrë të paprecedentë, në Selinë e PS janë vendosur kompjutera dhe servera që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania.

Portali Lapsi.al ka arritur ta sigurojë këtë databazë ku janë të përfshira të dhëna konfidenciale të 910 mijë votuesve të Tiranës nga 19 deri në moshën 99 vjeç. Dokumenti përmban të dhënat personale të secilit prej nesh, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës për shumicën e të regjistruarve dhe një përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej qytetarëve të Tiranës, praktikisht është fryti i një pune monitorimi të qytetarëve, që ka në themel të saj, të dhënat që ne ia kemi besuar shtetit.

Përdorimi i databazës së e-Albania nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS-së përbën vepër penale. Për këtë PD po përgatit një padi që do ta dorëzojë në SPAK.

Ky skandal i paprecendentë cenon rëndë privatësinë e çdo qytetari, që për të marrë shërbime nga shteti përdor portalin e-Albania. Përdorimi i të dhënave personale, numrit të kartës së identitetit, telefonit apo të dhënave të tjera personale nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS është i dënueshëm dhe për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve, PD do ta ndjekë hap pas hapi në rrugë ligjore këtë çështje.

Shqiptarët kanë nevojë të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur dhe sigurisht Rama nuk mund ta bëjë këtë. Për 8 vite ai e shkatërroi vendin dhe javët e fundit, për hir të interesit të tij, nuk kursen as të vjedhë dhe përdorë të dhënat personale të qytetarëve. Në 25 prill, kjo do të ndryshojë, shqiptarët do të kenë një qeverisje që kujdeset për ta.

Gazeta Panorama