19 Dhjetor 2022

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur alarmin. Nga një audit i bërë nga KLSH është zbuluar se të dhënat e Kadastrës janë në rrezik dhe shërbimet ndaj qytetarëve jepen vonesa.

Auditi  i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah se teknologjia e informacionit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është e rrezikuar dhe shërbimet ndaj qytetarëve shpesh herë ndërpriten. Sipas dokumentit thuhet se nga auditimi mbi sistemin Multifunksional u konstatua se sistemi multifunksional vazhdimisht punon me ndërprerje dhe ka probleme me ecurinë normale të punës duke ndikuar në veprimtarinë e specialistëve dhe institucionit në ofrimin e shërbimeve kundrejt qytetareve dhe bizneseve.

Ky auditim rezultatet e të cilit janë publikuar pak kohë më parë nxjerrin në pah edhe se si pajisjet firewall, router dhe infrastruktura e networkut u konstatua se infrastruktura e rrjetit aktual të sistemeve të ASHK është e amortizuar dhe pa mirëmbajtje të pajisjeve duke mos përmbushur kërkesat e Drejtorive Vendore, të cilat kanë nevojë për kapacitete shtesë për transmetim dhe rritje të sigurisë së informacionit.

“Pajisjet e komunikimit switch dhe router core në Drejtorinë e Përgjithshme ASHK dhe ato të hostuara në Datacenter-in e AKSHI nuk kanë pjesë rezervë në raste avarie të pajisjeve të cilat janë në prodhim, file Server i Regjistrimit Fillestar është në maksimumin e kapaciteteve të ruajtës, nuk disponon një infrastrukturë BCC (Business Continuity Center) në kundërshtim me VKM nr. 710, datë 21.08.2013 “Për krijimin dhe funksionimin e sistemeve të ruajtjes së informacionit, vazhdueshmërisë së punës dhe marrëveshjeve të nivelit të shërbimit”. Kjo situatë ka bërë që problemet në proceset e dokumentacioneve të jenë vazhdimisht prezente duke nisur nga orë dhe duke vijuar me ditë. Kjo gjë ka sjellë ngërçe të vazhdueshme me ecurinë e punës duke u kthyer në një problem madhor për qytetarët. Nga ana tjetër, rrjeti i amortizuar, mund të sjellë probleme të mëdha dhe me sigurinë e procedurave që nevojiten . Një tjetër problematikë e hasur përgjatë auditit ka dalë edhe fakti se drejtuesit vendor s’mund të shohin dot para orës 16 se sa kërkesa apo aplikime të qytetarëve kanë mbetur pa u trajtuar. Duket se pas kontrollit të KLSH dhe nxjerrjes në pah të këtyre problematikave, kadastra duhet të marrë masa për përmirësimin e tyre dhe përshpejtimin e punës”, thotë KLSH.

Punonjësit me rroga deri në 150 mijë lekë në muaj pa shkuar në punë

Ndërkohë, Kontrolli i Larte i Shtetit, nga verifikimet e bëra ka zbuluar edhe se punonjësit e KLSH marrin paga deri në 150 mijë lekë dhe nuk kryejnë detyrat.

Organika e fryrë nuk përkon me rezultatet e parashikuara nga institucioni. Kontrolli i Lartë i Shtetit, është institucioni kushtetues i ngarkuar për auditimin e shpenzimeve prej ministrive, bashkive apo enteve të tjera shtetërore. Sipas të dhënave të buxhetit të shtetit vetëm për këtë vit ka një strukturë prej 233 punonjësish. Ndërsa sipas raporteve të tij organika është thuajse e plotë, ndërsa në kontrollin nëntë mujor ka zbuluar një dëm prej 1 miliardë lekësh por me një numër tejet të ulët të padive duke u mjaftuar vetëm me rekomandime.

Por përse ndodh një fenomen i tillë dhe a ka kontroll mbi vetë KLSH? Nga një  vëzhgim i bërë, vihet re se edhe pse kanë paga nga 50 mijë lekë deri në 150 mijë lekë rregullat e punës nuk zbatohen. Pjesa dërmuese e punonjësve vijnë jashtë orarit zyrtar dhe njëkohësisht largohen sërish para orarit zyrtar. KLSH është kthyer në institucionin favorizues dhe nëse do kishte një auditim realist nga Parlamenti, do të kishte të dhëna edhe më të qarta qoftë edhe mbi zbatimin e detyrave apo edhe për strukturat e fryra. Madje për tu verifikuar është edhe nëse të gjithë punonjësit shkojnë në detyrë.

Gazeta Sot