Kalaja e Labovës ndodhet në shpatin perëndimor të malit të Buretos, mbi një kreshtë shkëmbore 700 m mbi nivelin e detit të lidhur vetëm me formacionin mëmë. Zotëron një pozicion të shkëlqyer strategjik, pasi kontrollon një sipërfaqe të madhe si dhe luginën e lumit të Suhës, që të çon në grykën e Selckës. Në pikëpamje ekonomike ngelet disi e privuar, i ka larg tokat e punueshme, kullotat malore si dhe burimet e ujit. Gurorja që ndodhet brenda kalasë, e lehtë për tu shfrytëzuar dhe me blloqe që trajtohen mirë, me sa duket ka qenë një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e vendit të fortifikimit. Kalaja formohet prej dy linja muresh, që ndahen nga një hyrje, linjës lindore e asaj veriore. Dy krahët e tjerë, ai perëndimor e jugor, janë të pa fortifikuar, thyerja e plotë tektonike e tyre e ka bërë atë të panevojshme. Në këta kufij sipërfaqja e përgjithshme është 0,78 ha.

Monumenti i vizituar më parë dhe nga studiues të tjerë ka përbërë problem për datimin e tij, pasi teknika e ndërtimit të mureve të kalasë së Labovës dallon nga fortifikimet e tjera të vendit tonë. Ka pasur dy mendime: njëri që e daton para fortifikimeve qytetare të luginës së Drinosit (Lekël, Antigone, Melan) dhe tjetri që e vë në funksion të Antigonesë. Duke pasur si qëllim që të përftonim një material arkeologjik që të na ndihmojë në datimin e mureve dhe të plotësonim planimetrinë e monumentit, bëmë tri sondazhe gjatë linjës së mûrit dhe pastruam korridorin e hyrjes.

Materiali arkeologjik, megjithëse interesant, ishte shumë i pakët dhe shumë i fragmentuar e nuk të lejon konkluzione përfundimtare. Në kuadratin I, në rrëzë të mûrit lindor, na shfaqet në belin e parë një qeramikë me ngjyrë të zezë, me baltë të papastër dhe punim të dobët, ndërsa në belin e dytë dhe të tretë (i fundit) parete amforash me ngjyrë rozë, baltë me kokrriza rëre dhe me faqe disi të lustruara. Ky lloj qeramike na kujton amforat korintike. Kuadrati III (i dyti nuk dha qeramikë) i hapur rrëzë mûrit verior në belin e dytë na dha një ojnohe dhe një vegjë bronzi që datohen të shekujve III-II p.e.sonë. Në materialin e përzier të korridorit, veç formave të qarta të shekujve III-II p.e.sonë, mund të veçojmë një qeramikë jonike të shek. V p.e.sonë që përbëhet prej disa fragmente enësh tryeze lyer me vernik të zi me shkëlqim metalik të dhënë me breza.
Nga këto të dhëna dhe nga teknika e ndërtimit të mureve mendojmë se kalaja e Labovës ka njohur dy faza ndërtimi: fazën e parë, që lidhet me murin lindor, paraprakisht e vendosim në fundin e periudhës protourbane, si një nga shfaqjet më të zhvilluara të kësaj periudhe, kurse fazën e dytë të ndërtimit e lidhim me shek. III-II p.e.sonë.