Edi Rama-Erion Veliaji

31 Gusht 2026

Vetëm 24 orë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj vendosi të lërë pa kompetenca Anuela Ristanin, e cila drejtonte përkohësisht Bashkinë e Tiranës, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama (Kryeministria). Kjo lëvizje vjen pas darkës sekrete që kryeministri Rama zhvilloi pak ditë më parë në Dhërmi me Alex Soros, djalin e miliarderit George Soros, ku mësohet se Rama, i cili herë pas here ka qenë kritik ndaj Veliajt, i cili ndodhet në burg, tashmë ka dalë hapur në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës.

Pra, duke qenë se Alex Soros njihet si mik i Veliajt, mësohet se ai i ka kërkuar Ramës të mbështesë Veliajn dhe në këtë mënyrë të shuajë luftën kundër kryebashkiakut. Por vendimi i Veliajt për të shkarkuar Ristanin dhe pozicionimi krah kryebashkiakut nga ana e shefit të qeverisë është një goditje e fortë për bandën e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, që thuhet se kishte uzurpuar Bashkinë e Tiranës.

Ndërkohë gazeta “SOT” ka mësuar se, duke qenë se Veliaj ndodhet në burg prej shkurtit të vitit 2025, ai pritet t’ia delegojë detyrën Vasilika Vjeros. Kjo e fundit mban postin e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës dhe është kushërira e kryeministrit Edi Rama.

Kështu që burimet për gazetën “SOT” thonë se zonja Vjero pritet të ushtrojë detyrën e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, duke marrë kështu jo vetëm bekimin e kryeministrit Rama që e ka kushërirë, por edhe të kryebashkiakut Erion Veliaj. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, teksa më poshtë po pasqyrojmë reagimin e plotë të Kryeministrisë sa i takon çështjes Veliaj-Ristani.

Reagimi i Kryeministrisë

Konkretisht Kryeministria ka reaguar këtë fundjavë (të shtunë) një ditë pas vendimit të kryebashkiakut Erion Veliaj për t’i hequr kompetencat Anuela Ristanit, e cila ushtronte detyrën e kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës. Përmes Drejtoreshës së Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, Kryeministria ka dhënë qëndrimin e saj për situatën e krijuar në bashkinë më të madhe në vend, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me statusin e Veliajt si kryetar i zgjedhur i Tiranës.

Sipas Kryeministrisë, Tirana ka një kryebashkiak dhe ai është Erion Veliaj. Qeveria i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar përpjekjet për shkarkimin e tij dhe ka lënë në fuqi mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur. Në këtë situatë, Kryeministria thotë se problemi nuk është nëse Veliaj është apo jo kryetar bashkie, por fakti që ai ndodhet në paraburgim dhe për këtë arsye nuk mund ta ushtrojë normalisht detyrën nga zyra e Bashkisë.

Kjo, sipas qeverisë ka krijuar një situatë të pazakontë ku kryetari i zgjedhur vazhdon të ketë mandatin, ndërsa drejtimi i Bashkisë është ushtruar nga një kryetar i komanduar. “Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë:  Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.

“Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë:  Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cenohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.

Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush. Sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë –  një absurd “ligjor” që në Evropën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë”, shprehet Kryeministria.