Edi-Rama

31 Gusht 2026

Katër ditë të axhendës së Edi Ramës kanë mbetur në një pikëpyetje të madhe. Bëhet fjalë për ditët nga e marta deri të premten e javës që lamë pas. Në publik, gjatë kësaj periudhe, është krijuar përshtypja se kryeministri ka vijuar normalisht aktivitetin politik në Tiranë, me mbledhje dhe takime me ministrat dhe drejtuesit e Partisë Socialiste. Por pamjet mungojnë. Dhe pikërisht këtu nis historia.

Sipas burimeve të gazetës “SOT”, Rama gjatë këtyre ditëve thuhet se ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje e sigurt është që djali i tij ka qëndruar në hotel në SHBA te miqtë e kryeministrit. Nga ana tjetër, në Tiranë, ndërkohë, janë komunikuar takime të Ramës me socialistët. Por nga aktivitetet e tij gjatë këtyre ditëve nuk është publikuar dokumentimi i zakonshëm. Asnjë seri pamjesh nga mbledhjet.

Asnjë fotografi që të tregojë qartë se ku ndodhej kryeministri në ditët për të cilat flitet. Një prej takimeve që u bë publike ishte mbledhja me ministrat dhe drejtuesit politikë të PS-së, e zhvilluar më 28 gusht. Takimi ishte parashikuar fillimisht të zhvillohej në orën 17:30 në selinë e PS-së, por vendi dhe orari ndryshuan. Gjatë ditës qarkulloi fillimisht varianti se takimi mund të zhvillohej në Pallatin e Brigadave. Përfundimisht, Rama i mblodhi ministrat dhe drejtuesit politikë në Vilën Qeveritare në Sauk.

Misteri

Publikut iu komunikua se Rama kishte zhvilluar mbledhjen, por pamjet nga brenda saj nuk u bënë publike. Nëse Rama ka qenë realisht në Tiranë, kjo nuk përbën domosdoshmërisht ndonjë mister. Por pyetja që mbetet është pse një pjesë kaq e rëndësishme e aktivitetit të tij politik nuk u shoqërua me pamje.

Ndërsa nëse burimet për udhëtimin në SHBA qëndrojnë, atëherë çështja merr tjetër përmasë. Sepse bëhet fjalë për katër ditë të plota, nga e marta deri të premten, gjatë të cilave kryeministri i Shqipërisë thuhet se ka qenë jashtë vendit, ndërkohë që në Tiranë vijonin raportimet për angazhimet e tij politike. Kush e ka thirrur? Kjo është pyetja kryesore. Një udhëtim në SHBA i kryeministrit shqiptar mund të ketë shumë arsye.

Mund të lidhet me politikën, diplomacinë, drejtësinë, arsye shëndetësore apo një çështje që nuk është bërë publike. Por deri tani nuk ka një shpjegim zyrtar që të sqarojë se përse Rama do të largohej nga Shqipëria pikërisht në këto ditë dhe pse udhëtimi nuk është bërë pjesë e axhendës publike. Në politikën shqiptare, mungesa e informacionit shpesh krijon më shumë pyetje sesa vetë informacioni.

Dhe në këtë rast, pyetjet janë të shumta. Nëse kryeministri ishte në SHBA, pse nuk u njoftua udhëtimi? Nëse ishte në Tiranë, ku janë pamjet e mbledhjeve? Nëse takimet me socialistët janë zhvilluar realisht, pse u mbajtën në një formë kaq të mbyllur? Dhe nëse gjatë këtyre katër ditëve ka pasur një axhendë tjetër, pse ajo nuk iu bë e ditur publikut? Pikërisht këtu qëndron misteri. Kush e kërkoi Ramën në SHBA? Me kë u takua? Dhe pse shqiptarët nuk u informuan për lëvizjen e kryeministrit?

Kthesa

Por historia merr një kthesë të shtunën. Në fundjavë, u njoftua sërish mbledhje me socialistët dhe këtë herë Edi Rama publikoi në Facebook pamje nga takimi me deputetët dhe drejtuesit e tjerë të njësive organizative të Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës. Në postimin e tij, Rama shkruan se gjatë takimit u diskutua për organizimin e “Pranisë Besnike”, metodologjinë e “Besës” dhe sistemin e ri të “PasqyrAlbania”.

“Me deputetët dhe drejtuesit e tjerë të njësive organizative të Partisë Socialiste të Qarkut Tiranë, patëm sot një diskutim të dobishëm për organizimin e Pranisë Besnike, metodologjinë e BESËS dhe sistemin e ri të PasqyrAlbania, duke hedhur një hap të nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik të Partisë Socialiste”, shkruan Rama.

Nga: Gazeta Sot