Ministri izraelit viziton burgjet dhe lavdëron kushtet e rënda për palestinezët: – Ditët e kampeve verore kanë mbaruar!

30 Gusht 2026
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, ka shkaktuar reagime të forta pasi publikoi një video nga një burg ku mbahen gra palestineze dhe deklaroi se ishte krenar për përkeqësimin e kushteve të tyre të ndalimit.
Gjatë vizitës në burgjet e grave, Ben-Gvir publikoi pamje ku disa të burgosura shfaqen të rreshtuara pranë një muri. Një prej tyre, e identifikuar si Yasmin Shaaban, tha se kushtet në burg janë jashtëzakonisht të këqija dhe se të burgosurat nuk kanë të drejta të mjaftueshme.
“Nuk jemi larë për tre ditë dhe nuk kemi ndërruar të brendshmet”, deklaroi gruaja në video, duke kërkuar që të merren parasysh edhe nevojat specifike të grave.
Ben-Gvir, një prej figurave më të djathta të qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, e justifikoi situatën duke e krahasuar atë me kushtet në të cilat, sipas tij, u mbajtën pengjet izraelite në Gaza pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023.
“Jam krenar që arritëm t’i zvogëlojmë kushtet e ndalimit të terroristëve në minimum. Ditët e kampeve verore në burgje kanë mbaruar”, tha ai.
Deklaratat kanë shkaktuar reagime të ashpra nga pala palestineze. Komiteti i Çështjeve të të Burgosurve i Autoritetit Palestinez e akuzoi ministrin për “barbari, urrejtje dhe racizëm”.
Edhe Ministria e të Burgosurve në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, e dënoi videon, ndërsa autoritetet izraelite kanë mohuar më herët akuza për keqtrajtime dhe dhunë ndaj të burgosurve apo aktivistëve palestinezë.
Videoja e publikuar nga Ben-Gvir vjen vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Izrael dhe pritet të rikthejë në qendër të debatit publik trajtimin e të burgosurve palestinezë dhe politikat e ministrit të ekstremit të djathtë.
Nga OraNews
