Nga Rigels SELIMAN

Takimet e shpeshta të kryeministrit Edi Rama me ish-agjentin e FBI McGonigal, një personazh që nuk ka asnjë lidhje me politikën shqiptare, ekzekutivin apo me çfarëdolloj institucioni që i përket këtij shteti, janë një pikë e errët për një politikan që drejton Shqipërinë, i cili e fut drejtimin e shtetit në hulli spiunësh, personazhesh të dyshimtë apo dhe pazaresh të rëndomta. Se ç’farë ka ndodhur, ç’farë kanë thurur, apo në ç’farë aferash janë zhytur kryeministri shqiptar me spiunin McGonigal dhe me personazhet që janë përfshirë në këtë qerthull këtë po e hetojnë amerikanët dhe SPAK. Por përveç kësaj çështjeje, Edi Ramës rrezikon t’i hapet një dosje e re dhe këtu shfaqet sërish në skenë Duçka-McGonigal dhe në këtë mes është dhe një biznesmen kinez që është goditur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marrëdhënia me kinezin Patric HO

Zanafilla e kësaj historie është ekspozita vetjake e kryeministrit Edi Rama, e hapur në Hong Kong në nëntor të vitit 2015. Ajo është sponsorizuar nga dy biznesmenë kinezë të cilët janë dënuar me burgim, njëri në Kinë dhe tjetri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fjala është për 2 drejtuesit e kompanisë CEFC Energy Company, me të cilët rezulton të jetë i lidhur këshilltari pa pagesë i Edi Ramës, Dorian Duçka. Ndonëse Rama nuk ka bërë asnjëherë transparencë mbi sponsorizimin e ekspozitës, faktet tregojnë se ai ka përfituar personalisht, edhe pse ligji e ndalon që zyrtarët e lartë të marrin dhurata e favore. Në një dokument të Komitetit të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i dates 21 Shkurt 2023, i cili mban firmën e kreut të këtij komiteti, kongresmenit James Komer, bëhet e ditur se 2 drejtuesit e kompanisë kineze CEFC, Patrik Ho dhe Ye Jianming janë arrestuar dhe dënuar për veprat penale të korrupsionit në SHBA dhe Kinë.

Skema Rama-Duçka-McGonigal dhe HO

Në një artikull të fundit të New York Post, lidhur me aferën McGonigal, është përmendur gjerësisht edhe Dorian Duçka me Edi Ramën. Në shkrimin e gazetës amerikane përmendet edhe Patrick HO. Po kush është Patric HO? Patrick HO është ish-kreu i CEFC Kinë, Energy Company Limited (“CEFC China”). Po çfarë e lidh HO me Shqipërinë dhe Edi Ramën?  Lidhja e HO me Shqipërinë dhe Edi Ramën është Dorian Duçka, i cili ka qenë punonjës i kompanisë kineze që drejtohej prej tij. Në vitin 2018, HO është dënuar me burg në SHBA dhe me një gjobë 400-mijë dollarë për afera korruptive në vendet afrikane të Çadit dhe Ugandës. Afera për të cilën është dënuar është e njëjtë me atë të Shqipërisë që është në hetim. Favorizim nga kreu i qeverisë për fushat e naftës, për t’ia dhënë ato për shfrytëzim, kundrejt ryshfetit, kompanisë kineze. E njëjta gjë ka ndodhur në Shqipëri, sipas akuzës amerikane. Dorian Duçka në rolin e përfaqësuesit të kompanisë kineze dhe si mik e këshilltar i Edi Ramës, i ka kërkuar këtij të fundit në takimet e përbashkëta me McGonigal që t’ia japë fushat e naftës për shfrytëzim kompanisë kineze.

Skema e Çadit

Skema e Çadit filloi në shtator 2014 kur HO fluturoi në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të OKB-së. Në atë kohë, CEFC China- një kompani energjetike shumë miliarda dollarëshe me bazë në Shangai, Kinë-po punonte për të zgjeruar operacionet e saj në Çad dhe donte të takohej me Presidentin Deby. Përmes një lidhjeje, HO u njoh me Cheikh Gadio, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Senegalit, i cili kishte një marrëdhënie personale me Presidentin Déby. HO përdori Gadion si sekser për ta ndihmuar në marrjen e aksesit te Presidentit Deby. Gadio lidhi HO dhe CEFC China me Presidentin Déby. Gadio këshilloi HO dhe CEFC China që të dërgonin një ekip teknik në Çad për të hetuar të drejtat e naftës dhe për t’i bërë një ofertë Presidentit Déby bazuar në të dhëna faktike. HO drejtoi një delegacion të CEFC China, i cili fluturoi për në Çad me një avion korporate me para të gatshme prej 2 milionë dollarësh të fshehura brenda disa kutive dhuratash.

Skema e Ugandës

Skema e Ugandës filloi në të njëjtën kohë me Skemën e Çadit, kur HO ishte në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme vjetore të OKB-së. HO u takua me Sam Kutesën, i cili kohët e fundit kishte filluar mandatin e tij si presidenti i 69-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. HO, i cili pretendonte se vepronte në emër të OJQ-së CEFC, u takua me Kutesën dhe filloi të kultivonte një marrëdhënie me të. Gjatë vitit kur Kutesa shërbeu si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, HO dhe Kutesa diskutuan një “partneritet strategjik” midis Ugandës dhe CEFC China për sipërmarrje të ndryshme biznesi. Në maj të vitit 2016, drejtuesit e CEFC China udhëtuan në Ugandë.  HO këshilloi shefin e tij, Ye Jianming, kryetari i atëhershëm i CEFC China, t’i jepte 500,000 dollarë para në dorë Musevenit, gjoja si një donacion për fushatën. Ai synonte që këto pagesa të ndikonin tek Kutesa dhe Museveni për të përdorur fuqinë e tyre zyrtare për të drejtuar avantazhet e biznesit të CEFC China. Pra, siç shihet, të dyja skemat e mësipërme janë identike me aferën ku është i përfshirë McGonigal dhe Rama.  Ashtu si në Uganda dhe Çad, kompania kineze ka përdorur si maskim për dhënien e ryshfetit miliona dollar krerëve të shteteve për gjoja aktivitete bamirësie.  Të njëjtën gjë ka bërë edhe me Edi Ramën, por jo bamirësi për popullin, por për Kryeministrin, duke i financuar ekspozitën në Hong Kong në vitin 2015, me ndërmjetës Dorian Duçkën. Është mëse e qartë se Duçka nuk është zgjedhur për të punuar në kompaninë kineze se ishte gjeni, por është “peshkuar” për lidhjet me kryeministrin shqiptar, për të cilin edhe punonte. Në mos pastë qenë vet Rama referencë për të. Me përfshirjen në skemën e madhe edhe të agjentit të lartë të FBI-së, McGonigal, ku ndërmjetës është Duçka, del qartë se roli i tij është ai i sekserit. Ose thënë ndryshe njeriu i Ramës i futur në këtë skemë gjigante dhe jo njeriu që “peshkoi” Ramën për ta futur në të tilla skema.  Kjo është një skemë në të cilën Rama ka hyrë shumë thellë, ka bërë shumë gabime, të cilat nuk cenojnë sigurinë e Shqipërisë, por të ShBA-ve. Hetimi i Kongresit është hetim me themel që do të çojë deri në zbërthimin e plotë të aferës, që është ndër më të mëdhatë në ShBA.

Gazeta Sot