4 Mars 2026

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi vendosjen e forcave shtesë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë operacionet kundër Iranit dhe do të marrin “gjithë kohën e nevojshme” për të siguruar fitoren.

Gjatë një konference për shtyp, Hegseth deklaroi se SHBA-të nuk po nxitojnë dhe se do të zgjedhin momentin e duhur për të garantuar suksesin. Ai citoi edhe qëndrimin e presidentit Donald Trump, duke përsëritur se vendi do të veprojë me strategji dhe pa presion kohor.

Duke folur për zhvillimet e fundit, Hegseth i cilësoi rezultatet e katër ditëve të fundit si “të pabesueshme” dhe “historike”, duke shtuar se, sipas tij, qeveria iraniane “ka mbaruar dhe e di këtë”. Ai deklaroi se forcat amerikane kanë nisur të “godasin, çmontojnë, shkatërrojnë dhe mposhtin” kapacitetet ushtarake të regjimit iranian.

Sipas tij, udhëheqësit iranianë do të përballen vetëm me fuqinë ajrore të SHBA-së dhe Izraelit derisa të dy vendet të vendosin se konflikti ka përfunduar.

Pas konferencës, Hegseth theksoi se ky konflikt “nuk është projektuar kurrë si një luftë e drejtë” dhe se SHBA-të po e godasin Iranin “ndërsa është në disavantazh”.

“Po vijnë valë gjithnjë e më të mëdha, ne sapo kemi filluar”, u shpreh ai.

Ai shtoi gjithashtu se në Oqeanin Indian, SHBA-të fundosën “një anije luftarake iraniane që mendonin se ishte e sigurt në ujërat ndërkombëtare”. “Në vend të kësaj, ajo u fundos nga një silurë”, deklaroi Hegseth, pa e përmendur emrin e anijes.

Ndërkohë, marina e Sri Lanka kishte raportuar më herët se fregata iraniane IRIS Dena u fundos në Oqeanin Indian, ndërsa rreth 140 persona që ndodheshin në bord rezultojnë të zhdukur.