Papa Françesku

14 Qershor 2022
Papa Françesku ka deklaruar se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ‘ndoshta ka qenë i provokuar’ teksa iu referua një bisede në prag të luftës, në të cilën u paralajmërua se NATO kishte arritur në dyert e Moskës. 

Në një intervistë për revistën jezuite La Civiltà Cattolica, të zhvilluar muajin e kaluar dhe të botuar të martën, Papa dënoi “egërsinë dhe mizorinë e trupave ruse” ndërsa tha se ky është një konfliktit midis së mirës dhe së keqes.

Ne duhet të largohemi nga modeli i zakonshëm i Kësulëkuqes, pasi Kësulëkuqja ishte e mirë dhe ujku ishte i keqi,” tha ai.

“Diçka globale po shfaqet dhe elementët janë shumë të ndërthurur.”

Françesku theksoi se disa muaj para luftës ai takoi një kryetar shteti, të cilin ai nuk e identifikoi, por e përshkroi si “një njeri i mençur që flet pak, një njeri shumë i mençur me të vërtetë … Ai më tha se ishte shumë i shqetësuar se si NATO po lëvizte. E pyeta pse dhe ai u përgjigj: “Po lehin në dyert e Moskës. Ata nuk e kuptojnë se rusët janë perandorakë dhe nuk mund të kenë ndonjë fuqi të huaj që t’u afrohet atyre.”

Ai shtoi: “Ne nuk e shohim të gjithë dramën që shpaloset pas kësaj lufte, e cila, ndoshta, disi ose u provokua ose nuk u parandalua”. Pak para pushtimit, Vladimir Putin i kishte kërkuar NATO-s të përjashtonte mundësinë e lejimit të Ukrainës, e cila kufizohet me Rusinë, në aleancën ushtarake.

Papa tha se ai nuk ishte “pro-Putin” dhe se do të ishte “thjeshtim dhe gabim të thuhej një gjë e tillë”. Ai shtoi se Rusia e kishte “llogaritur gabim” luftën. “Është gjithashtu e vërtetë që rusët mendonin se gjithçka do të përfundonte brenda një jave. Ata takuan një popull trim, një popull që po lufton për të mbijetuar dhe që ka një histori lufte”. Të martën në mëngjes, Papa publikoi një mesazh duke thënë se pushtimi i Ukrainës ishte një shkelje e të drejtës së një vendi për vetëvendosje.

“Lufta në Ukrainë tani i është shtuar luftërave rajonale që për vite kanë marrë një numër të madh vdekjesh dhe shkatërrimesh,” tha ai në një mesazh për Ditën Botërore të të Varfërve të Kishës Katolike Romake, e cila do të shënohet në nëntor. “Megjithatë këtu situata është edhe më e ndërlikuar për shkak të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të një “superfuqie” që synon të imponojë vullnetin e vet në kundërshtim me parimin e vetëvendosjes së popujve.”

Ndërkohë, ai tha për La Civiltà Cattolica se shpresonte të takonte patriarkun ortodoks rus, Kirill, një aleat i ngushtë i Putinit që mbështet luftën në Ukrainë, në një ngjarje ndërfetare në Kazakistan në shtator. Kirill akuzoi Papën se kishte zgjedhur një “ton të pasaktë” për të përcjellë mesazhin e tij, duke shtuar se komente të tilla do të dëmtonin dialogun midis dy kishave. Dyshja duhej të takoheshin në Jerusalem në qershor, por udhëtimi u anulua për shkak të luftës.