11 Mars 2026

Me një aktivitet të pasur që përfshin ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, piktori Helidon Haliti është një nga emrat më të spikatur të artit bashkëkohor shqiptar, i njohur për veprat e tij që përzien emocione, përvoja personale dhe reflektime mbi realitetin social. Në intervistën dhënë për gazetën “SOT”, piktori Helidon Haliti “Mjeshtër i Madh” ndan rrugëtimin e tij artistik, frymëzimin që vjen nga kujtimet dhe jeta e përditshme, si dhe vizionin e tij për tërësinë e veprës, që e sheh si një mozaik që ndërtohet me kalimin e kohës.

Ai flet për influencat e hershme që formuan stilin e tij, si dhe eksperiencat e tij jashtë Shqipërisë, që i dhanë një dimension të ri artit të tij. Gjithashtu në këtë intervistë, ai ndan mendimet mbi marrëdhënien me publikun, sfidat e tregut artistik dhe rëndësinë e ekspozimeve për zhvillimin e artit pamor në vend.  Helidon Haliti është i nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë shpërblime në vende të ndryshme si Shqipëri, Norvegji, Tailandë, Hong Kong, Republikë Çeke, Bullgari, Malajzi, Kinë dhe Kore. Ka fituar çmime ndërkombëtare dhe vlerësime në bienale të pikturës, përfshirë emrin e tij në listën e artistëve të nderuar në Bienalen e akuareleve në Tajlandë. Në vitin 2013 ai u shpërblye me çmimin “Kult” si “Artisti më i mirë i vitit”, si dhe ka fituar çmime të tjera si “Mjeshtri më i mirë” në Hong Kong dhe “Çmimi i Artistit më të Mirë” në Kinë. Nga kritikë dhe studiues ai cilësohet si një figurë e rëndësishme e artit bashkëkohor. Veprat e piktorit Helidon Haliti gjenden në galeri private, koleksione muzeale dhe tek koleksionistë në Shqipëri dhe jashtë saj.