13 Prill 2024

Ish Kinostudio deri para pak muajsh Ministri Kulture është në proces restaurimi, por me largimin e administratës së ish-Ministrisë së Kulturës, që do të vendoset në qendër, tek Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, godina do t’i kalojë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Kjo bëhet me dije nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja që thotë se është një projekt i rëndësishëm që po zbatohet në këtë godinë. “Ka nisur restaurimi i Korpusit Qendror të Ansamblit që përbën Ish-Kinostudion! Një projekt mjaft i rëndësishëm për përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës së një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zhvilluar nga UNOPS, si pjesë e programit MEKI-EU4Culture”, shprehte ministri Blendi Gobxhja që ka ndarë në rrjete sociale dhe foto gjatë punës që po kryhen në ish Kinostudio. Ndërhyrja që po kryhet dhe ishte bërë me dije dhe më parë gjatë prezantimit të projektit, parashikon restaurimin e fasadës dhe interiorit, duke ruajtur muraturën ekzistuese dhe duke riparuar dëmtimet, meremetimin e suvasë dhe restaurimin e elementëve dekorativ, instalimet elektrike, riorganizimin dhe përmirësimin e tualeteve dhe sistemeve të kanalizimit, sistem ndriçimi të jashtëm të fasadës me ndriçues projektor dhe linear.

Kalimi i godinës QKK-së

Pas restaurimit godina e ish Kinostudios pritet që ti kalojë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ku kjo e fundit është vetëm në një pjesë të vogël të saj. Ministri Blendi Gonxhja thotë se edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të ketë një riorganizim, pas së cilës do të fillojë dhe mbështetja për krijimtarinë kinematografike në vend. “Me largimin e administratës së ish-MK, që do të vendoset në qendër, tek Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, godina do t’i kalojë QKK-së e cila po riorganizohet dhe shumë shpejt do të fillojë mbështetjen e krijimtarisë kinematografike dhe audiovizuale me qëllim përforcimin e sistemit dhe përafrimin me praktikat më të mira evropiane të këtij sektori specifik e tepër të rëndësishëm për kulturën dhe ekonominë e vendit tonë. Do të mirësistemohen edhe IKTK e IKRTK, në kuadrin e rishikimit të projektit të njohur si Parku i Arteve, që do të zgjerohet me rikonceptimin e godinave të tjera dhe infrastrukturën funksionale, oborret dhe sistemet e sigurisë e të e-monitorimit 24/7!”, shprehet ministri Gonxhja.

Ministria e Kulturës vendoset në Kinostudio në janar 2015

Në janar të vitit 2015 në ish Kinostudio u vendos Ministria e Kulturës, ku më parë ishin kryer ndërhyrje në godinë. Më 30 korrik 2014, me një vendim të Këshillit të Ministrave u vendos kalimi në përgjegjësi administrimi te Ministria e Kulturës, të pasurisë “Godina 4-katëshe, magazina e kostumografisë”, në ish-Kinostudio. Ndërtesa qëndrore e ish- Kinostudios u projektua nga një arkitekt rus dhe u ndërtua me ndihmën e ish-Bashkimit Sovjetik, në shenjë miqësie ndërmjet dy vendeve. Punimet e saj nisën në vitin 1948 dhe përfunduan në 10 korrik të vitit 1952. Kjo ndërtesë e stilit neoklasik është konsideruar si unikale nga arkitektët.