21 Korrik 2023

Nga Elmas BOGDANI

Laku sa vjen dhe po ngushtohet për kryeministrin Edi Rama pasi po afron data e gjyqit të 26 korrikut, për ish-agjentin e korruptuar të FBI McGonigal, i cili mund të sjellë surpriza për të. Dosja “McGonigal” është shndërruar në një fortunal, ku në qendër të këtij fenomeni është vënë kreu i kësaj qeverie. Nëse do i referohemi dosjes hetimore të agjentit të FBI, Rama shfaqet qartë se ka një lidhje të fortë me të dhe personat që kanë qenë ndërmjetësit e tij.

Takimet e shpeshta të një kryeministri me një personazh që nuk ka asnjë lidhje me politikën shqiptare, ekzekutivin apo me çfarëdolloj institucioni që i përket këtij shteti, janë një pikë e errët për një personazh që drejton shtetin shqiptar, i cili e fut drejtimin e shtetit në hulli spiunësh, personazhesh të dyshimtë apo dhe pazaresh të rëndomta. Se ç’farë ka ndodhur, ç’farë kanë thurur, apo në ç’farë aferash janë zhytur këtë mund ta tregojë spiuni McGonigal në datën 26 korrik. Hetimet vazhdojnë nga shteti amerikan dhe padyshim që e ardhmja do të ketë shumë surpriza për kryeministrin dhe personazhet që janë përfshirë në këtë skandal.

Ja ç’pritet të ndodhë në seancë

Aktualisht ndaj Charles McGonigal janë duke u zhvilluar dy procese gjyqësore. I pari, që lidhet me akuzat për bashkëpunim me oligarkun rus, Oleg Deripaska, është duke u zhvilluar në gjykatën e Nju Jorkut.

Ndërsa procesi i dytë, që lidhet me akuzat për marrjen e parave nga një ish punonjës i shërbimit sekret shqiptar dhe fshehjen e udhëtimeve në Shqipëri, po zhvillohet në Gjykatën e Uashingtonit. Të dyja çështjet janë të mbyllura për publikun për shkak të informacioneve të klasifikuara që zbulohen në proces. Por të dyja gjykatat zbulojnë herë pas herë aspekte proceduriale të procesit, që po zhvillohet me procedurë të përshpejtuar. Gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly vendosi që çdo gjë do të nisë në 26 korrik, ndërsa me procedurë të përshpejtuar do të fillojë të jetë në 4 tetor e këtij viti. Nuk dimë ende sesa thellë kanë shkuar hetimet ndaj Ramës, por ka përgjime dhe survejime që po hetohen nga drejtësia amerikane. Se sa thellë janë zhytur kjo do të shihet. Çështja mund të përfundojë me marrëveshje, por edhe të shtyhet gjyqi sërish.

Nëse nuk ndodh gjyqi fare, nuk merret vesh asnjë e dhënë për zhytjen në korrupsion të kryeministrit Rama. Skenari tjetër është që nuk mund të ketë akuzë ndaj tij sepse është kryeministër. Gjithashtu ai mund të thirret dëshmitar, ose është thirrur dhe kjo gjë mbahet sekret. Nga ana tjetër, nëse McGonigal pranon disa nga akuzat mund të dënohet edhe 5 ose 10 vite. McGonigal për të shpëtuar kokën e tij mund të shesë shumë persona të implikuar në dosjen që i kanë hapur amerikanët. Ishin senatorët amerikanë që konfirmuan për Shqipërinë se kjo dosje është e rëndë dhe vazhdojnë ende hetimet e thelluara. Por sipas tyre çështja është shumë e nxehtë dhe derisa të përfundojë SHBA do të jetë e kujdesshme në komentet e saj, pasi procesi penal ende vazhdon dhe dosja “McGonigal-Rama”  është ende nën hetim nga FBI. “Sigurisht, nuk jam i shqetësuar për marrëdhëniet me Shqipërinë. Ato nuk kanë qenë kurrë më të mira. Këto janë akuza serioze, por tashmë janë pjesë e një procesi penal që është ende nën hetim. Ne jemi gjithmonë shumë të kujdesshëm, pasi si anëtarë të Senatit amerikan, ne nuk komentojmë për çështje që janë ende nën hetim, qoftë për qytetarët amerikanë, ose për qytetarë të shteteve të tjera. Jemi duke ndjekur çështjen dhe presim të përfundojë”, u shpreh para disa javësh senatori Murphy.

Informacionet nga Robert Papa

Edhe gazetari i cili jeton në SHBA, Robert Papa është shprehur se Rama rrezikon shumë nga kjo dosje dhe ky gjyq. “Rama nuk mund të mbetet më anonim, si në gjyqin e parë për 80 mijë dollarët me foton me personin “B”. Në atë gjyq Rama ishte A-ja. Shqiptari fisnik, i cili siguroi akses, nuk e nxori në gjyq emrin e Ramës. Kësaj radhe në gjyqin e Mcgonigal në Uashington, Rama mund të thirret si dëshmitar si nga prokurori, por edhe nga avokati mbrojtës i McGonigal. Avokatëve të tij iu lanë 90 ditë të njihen me evidencat e padisë.

Prokurori, tha se “ka shumë materiale të klasifikuara: komunikimet elektronike, të dhënat financiare si dhe fotot e survejimit.” A ka foto survejimi Rama?! Nga hetimet, amerikanët e dinë skemën se si vijnë paguesit nga Shqipëria. Rama nuk “njollos” duart vetë, por përdor njerëzit e tij në kryeministri. Ata kanë përdorur ose njërin prej ministrave të tij, ose një deputet, i cili herën e fundit u ndalua 2.5 orë në JFK dhe iu sekuestruan sasitë e parave cash. Kur ka një padi federale, gjyqi së paku, kushton 1.5 milionë dollarë, kur i akuzuari deklaron se jam i pafajshëm. Por në fund të gjyqit i humburi do të paguajë shpenzimet. Në dy gjyqe, mund të shkojnë edhe 10 milionë dollarë. McGonigal mund të kërkojë pazar. Jurisë së Madhe i janë paraqitur vetëm fakte që mund të provohen, përtej hijes së dyshimit”, ka thënë ai.

Rama pranon takimin me agjentin e FBI

Kujtojmë se kryeministri Rama kur shpërtheu skandali i dosjes “McGonigal”, pranoi takimet me zyrtarin e FBI, por tha se nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja. “Takova një zyrtar të lartë, po, e takova, disa herë. Kjo nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja. Kush e kupton e kupton, unë nuk kam pse komentoj asgjë. Unë dhe qeveria e Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me përfundimin e hetimit për një çështje dytësore të dalë rrugës, ndërkohë që kryesorja është krejt tjetër”, tha ai më 25 janar 2023.

Gazeta Sot