10 Mars 2026

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi po mban jë deklaratë për mediat nga selia blu ku u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën që do të mbahet në datën 12 mars përpara Kuvendit. Ai ka shtuar se 12 marsi është data që shqiptarët duhet t’i tregojnë vetes dhe botës se Shqipëria nuk është peng i askujt.

Gazment Bardhi:

“Kryeministri po përpiqet të fshehë një të vërtetë shumë të thjeshtë. Vendimi për të bllokuar kërkesën e SPAK nuk u mor sepse provat ishin të dobëta, por sepse provat të çojnë, herët a vonë, tek Edi Rama. Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16 mijë faqe, por 166 mijë faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim. Sepse ky nuk ishte një vendim juridik. Ishte një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij, veten e tij.

Parimi europian që Edi Rama dështoi ta përmbushë në këtë rast është shumë i thjeshtë: në një shtet ligjor askush nuk duhet të mbrohet nga drejtësia për shkak të pushtetit që ka. Shqipëria nuk ka nevojë për një Parlament që përdoret si mburojë politike kundër drejtësisë. Shqipëria ka nevojë për institucione që garantojnë barazinë para ligjit.

Të dashur qytetarë,

Dua të ndaj me ju një mendim që më erdhi ndërsa po lexoja raportin e mazhorancës në mbrojtje të 11 tenderave abuzivë për të cilat akuzohet Belinda Balluku. Në dhjetor të vitit 2014, kur Edi Rama ju mashtronte se “po bënte shtet”, një kryefamiljar në varfëri ekstreme u burgos sepse nuk paguante dot energjinë elektrike. Ishte koha kur Edi Rama rraste në burg këdo dhe nuk shqetësohej si sot për mbingarkesën e qelive të paraburgimit.

Ky kryefamiljar, nga dëshpërimi se nuk mund të paguante dot as për të dalë nga burgu, as faturat e energjisë, vrau veten. Raste ekstreme pati me qindra gjatë asaj periudhe, por përgjigjja e Edi Ramës atëherë ishte “barazia para ligjit”.

Sot, kur ligji ka trokitur në paradhomën e tij, Edi Rama ka ndryshuar standard. Për Belindën që ka abuzuar me të paktën 1.1 miliardë euro, ligji nuk mund të jetë kaq i barabartë sa për të gjithë të tjerët. Çfarë mesazhi u kemi dërguar sot vendeve të Bashkimit Europian, që na kërkojnë sundimin e ligjit dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta?

E them me bindje: jo pasaportë europiane, por as pasaportë iraniane nuk marrim me këtë standard, ku hetimi nuk përcaktohet nga prokuroria, por nga Gjykata supreme e mazhorancës qeverisëse. Sepse nga dje sistemi i drejtësisë në vend sipas vizionit të Ramës ka këtë hierarki:

Gjykata e shkallës së parë

Apeli

Gjykata e Lartë

Gjykata Kushtetuese

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Prandaj sot është e konfirmuar edhe zyrtarisht ajo që kemi thënë që në fillim: Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të vendit. Edi Rama as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë kurrë në gjendje të qeverisë pa mbrojtur korrupsionin. Dhe kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, qytetarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt”, tha ai.