Galeria “Uffizi” e njohur për kryevepra të Renesancës blen veprën e artit të rrugës

Përktheu: Alberina Haxhijaj

Nga gazeta KOHA, Prishtine

Firence, 11 shkurt (“The Guardian”) – Galeria “Uffizi”, e njohur për koleksionin e saj të Renesancës, të Botticellit dhe të Michelangelos, ka blerë një vepër të realizuar nga artisti britanik i artit në rrugë, që filloi pikturimin me sprej në Londër para një dekade.

Galeria në Firence shfaqi një autoportret të realizuar nga artisti britanik Endless. Vepra si reagim mbi reklamën dhe kulturën e konsumatorit do të bëhet e parë e një artisti të artit të rrugës që do të shfaqet në “Uffizi”.

Endless, që e mban të fshehur identitetin e tij, ka thënë se “është i emocionuar dhe i nderuar”.

“Nuk e kam ditur saktësisht se si do të ndërthuret në Galeri”, ka thënë ai. Përzgjedhja e veprës, sipas tij, “heq mykun” për artin në rrugë, në një vit në të cilin galeritë dhe muzetë kanë mbyllur dyert e tyre, e kjo tregon se sa i rëndësishëm është bërë arti.

Autoportreti përfshin dy fotografi të artistit të radhitura njëra pas tjetrit. Fytyra e tij është e mbuluar me reklama të ripërpunuara për Calvin Klein, në të cilin Mark Wahlberg shfaqet në pantallona të shkurtra. Endless filloi që të pikturonte këtë imazh në muret e Londrës në vitin 2014. Në të dyja anët e artistit janë fotografi nga dyshja e artistëve Gilber dhe George, mentorët dhe mbështetësit e hershëm të punës së tij.

Ani pse vepra është larg rrymës së Renesancës për të cilat “Uffizi” është e njohur, drejtori i Galerisë, Eike Schmidt, ka thënë se u referohet veprave të cilat i kanë në koleksion në nivele të ndryshme.

“I referohet pozitës së Venus de’ Medici (skulpturë) dhe ‘The Birth of Venus’ të Botticellit, por e shpërngulur është nga një trup i femrës në një të mashkullit. Ne po ashtu kemi disa portrete grupore; më e famshmja do të ishte ‘Four Philosophers’ e Rubensit”, ka thënë ai.

Galeria “Uffizi” blen veprën e artit të rrugës

E inspiruar nga reklama, Endless ka thënë se vepra është më pak provuese krahasuar me vepra të Renesancës. “Nuk mendoj se është më skandaloze sesa nudot që tashmë janë aty. Të paktën ka pantallonat veshur”.

Endless ka thënë se përfshirja e artistëve që bëjnë art në rrugë, në muze, ishte një mënyrë për t’i çuar një hap më përpara.

“Disa artistë të rrugëve asnjëherë nuk do të preknin një galeri, por shumë artistë të artit në rrugë do të donin që të shfaqnin artin e tyre aty”, ka thënë ai.

Arti në rrugë ishte një mënyrë që Endless të “reklamonte” talentin e tij. Pasi që ka studiuar për arte të bukura për gjashtë vjet, i janë dashur edhe pesë vjet të tjerë që të arrinte të përzgjidhej që të niste ekspozitën e tij të parë. Ai e kaloi kohën duke krijuar vepra në mure përgjatë anës perëndimore dhe lindore të Londrës.

“Në një pikë unë isha duke bërë art në rrugë, katër ose pesë herë në javë, duke e realizuar atë gjatë ditës dhe duke e vendosur gjatë natës”, ka thënë ai.

Në vitet 2014 dhe 2015 ai filloi që të realizonte me bollëk vepra në rrugë dhe i shfaqi për herë të parë në ekspozitë në vitin 2016. Në vitin 2018, Schmidt i ishte afruar për të kërkuar një donacion.

Endless kishte thënë se përfshirja e artit të tij është një kulmim i dekadës në të cilën arti në rrugë “po respektohet”. “Banksy ka krijuar themelet duke përdorur mediat për të shtyrë artin në rrugë në një drejtim të qartë”.

Arti në rrugë ka marrë rëndësi edhe gjatë pandemisë me ndihmën e rrjeteve sociale. Korrikun e kaluar Banksy realizoi një grafikë në metronë e Londrës me disa minj të animuar, gjersa u thoshte njerëzve që të vinin maskën përmes faqes së tij në Instagram.

“Pandemia në përgjithësi ka treguar fuqinë e artit. Njerëzit kanë nevojë për të. Ata kanë dëshirë që të shkojnë në muze dhe galeri, por nuk kishin mundësi kështu që shfrytëzuan formatin online”, ka thënë Endless.

Përderisa galeritë britanike janë të mbyllura, “Uffizi” është e hapur për vizitorët. Schmidt shpreson se galeria në Itali mund të paraqesë artin në rrugë te një audiencë e re, kur vepra e Endless të shfaqet këtë verë.