– Fterra. – Vlorë

Fterra ndodhet 10 km në verilindje të Borshit, në krahinën e Kurveleshit. Me ndarjen e re territoriale, Fterra bën pjesë në Bashkinë e Himarës. Fshati ndodhet në lartësi 200 – 250 m mbi nivelin e detit.

Shtëpitë karakteristike ngrihen mes një peizazhi të gjelbëruar e faqesh malore. Shtëpitë e gurta mbulohen me pllaka guri, një traditë thuajse unike e fshatit e ruajtur në shekuj. Portat e tyre kanë mbulesë guri dhe rrethohen nga korniza guri. Në oborret e shtëpive rriten lule, fruta dhe perime. Ambientet shtëpiake ruajnë qilimat e prodhuara me dorë nga banoret e fshatit.

45 burimet me ujë të ftohtë, që mbajnë secili nga një emër të veçantë, si edhe shpellat e shumta janë dy nga atraksionet më mbresëlënëse të Fterrës. Shpella e Kazhanit, Shpella e Buçkes, Shpella e Guvës, Shpella e Gjolekës dhe Shpella e Zanes spikasin për karakteristikat dhe përmasat e tyre të veçanta.

Nëse dëshironi të shijoni bukuritë e natyrës dhe fshatit, të zbuloni shpellat e pa eksploruara, të pini ujin e burimeve, të përhumbeni e të largoheni për disa ditë nga jeta e qytetit, Fterra është një destinacion krejt i veçantë.