Fonde per njerzit ne nevoje – Jo. Shpejtësia e habitshme e 4 faturave të paguara nga qeveria brenda 48 orësh

20 mars  2020

Brenda një dite, të enjten, 19 mars, qeveria ka paguar 2,45 miliardë lekë (mbi $22 milionë) për projekte rrugësh.

Përfituesit kryesorë janë katër kompani: Albstar me rreth $6,6 milionë, G.P.G. me rrreth $6,4 milionë, Gjoka me rreth $5,5 milionë, dhe Agbes Construction me rreth $2,8 milionë.

Ndërsa pagesa për Gjokën (në foto me Ramën dhe Gjiknurin) është pagesë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, pagesat për kompanitë e tjera nga të dhënat e thesarit nuk detajohen se për çfarë punimesh janë bërë.

Kujtoni, se Rruga e Arbrit është ndërtim me koncesion, pra investimi bëhet me fondet e kompanisë dhe qeveria duhet të paguajë më pas.

Të dhënat e Open Data Albania dëshmojnë se të gjitha pagesat janë bërë me shpejtësi të paprecedentë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës—të gjitha faturat janë paguar në më pak se 48 orë nga paraqitja.

Në mënyrë të pazakontë, të gjitha faturat janë regjistruar të gjitha në një ditë të vetme, më 17 mars dhe janë paguar të gjitha brenda një dite të vetme, më 19 mars – raporton Exit.

Në mënyrë domethënëse, pagesat janë bërë po ditën që Kryeministri Rama njoftoi se qeveria kishte caktuar vetëm rreth 56 milionë dollarë (6,5 miliardë lekë) mbështetje për të gjithë biznesin e vogël në Shqipëri për një periudhë tre mujore—mbi 125 mijë sipërmarrje të vogla—përfshi pagesat e rrogës për rreth 80-100 mijë punonjës të tyre që kanë ndërprerë punën.

Këto pagesa me shpejtësi të habitshme për 4 kompani janë bërë në një kohë që qindra mijëra familje dhe i gjithë biznesi i vogël që është motorii i punësimit dhe burimi kryesor i mirëqenies për vendin janë në krizë.

Këto veprime të bëjnë të mendosh se kompanive mund t’u jetë kërkuar të paraqisin faturat për t’i paguar sa më parë, pasi mund të pritet ndonjë bllokim i mundshëm të fondeve për projektet e infrastrukturës, për shkak të krizës së koronavirusit

e.k. / dita