– Atë Gjon Karma njihet për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, etj.-

Përkujtojmë, më 12 nëntor, përvjetorin e vdekjes së jezuitit shqiptar Atë Gjon Karma, dëshmitar i fesë së krishterë gjatë diktaturës komuniste dhe mbledhës i shquar i folklorit. Atë Gjon Karma S.J. lindi më 17 maj 1896 në fshatin Guri i Zi, pikërisht në atë fshat ku, mbi rrënojat e kishës së shkatërruar nga komunistët, jezuitët kanë rindërtuar një nga Kishat e tyre të reja. U përgatit në gjirin e etërve jezuitë, duke ndjekur ndër ta të gjitha ciklet shkollore, derisa u shugurua meshtar, më 29 maj 1920. Në Urdhrin e Jezuitëve u pranua në Goricia të Italisë, ku kishte shkuar të thellonte studimet teologjike. Më pas u kthye në atdhe, për të shërbyer në Tiranë (1932) e në Shkodër, si zëvendës-drejtor i Kolegjit Saverian (deri më 1935). Kontributin më të çmuar e dha gjatë shtegtimeve me Misionin Shëtitës të etërve jezuitë ndër malësitë e Veriut, ku predikoi, rrëfeu, shoi mëritë, pajtoi gjaqet, shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë e këtyre trevave, të cilat studiuesi mund t’i gjejë nën titullin “Lettere Edificanti”, vjetar i jezuitëve, që ende mbetet për t’u studiuar. Në këtë vjetar gjinden shkrime të panjohura të Atë Gjon Karmës, që hedhin dritë mbi veprimtarinë e tij si misionar i paqes e i dashurisë ndër malet e egra shqiptare.

Atë Gjon Karma njihet edhe për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: dokeve, zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave, të cilat nisi t’ i botonte në revistat e jezuitëve “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” dhe “LEKA” e më vonë i përmblodhi në veprën “Ndër malet tona”, botuar më 1940. Si të gjithë klerikët shqiptarë, vuajti për një kohë të gjatë ndër burgjet komuniste e ndër kampet e vdekjes. Iu desh të jetojë me duar të prangosura që nga viti 1946 e deri në vdekje. Nuk dihet me siguri as kur vdiq, as ku u varros. Çka dihet me siguri, është se vdiq si dëshmitar i fesë së Krishtit, duke krye deri në frymën e fundit misionin e tij kishtar e kombëtar. Atë Gjon Karma, vuajti dhe i qëndroi besnik mësimeve të etërve deri në agoninë më të frikshme që mund të provojë njeriu, i varrosur gjallë brenda një varri.

Marrë nga Radio Vatikani