Firmoset Kalendari kulturor Kosovë –Shqipëri. –

Ministrat e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi dhe Kujtim Gashi nënshkruajnë kalendarin kulturor Shqipëri- Kosovë në Prizren. Në 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi nënshkruan në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit protokollin e bashkëpunimit për kalendarin e përbashkët kulturor 2018. Ministri Kujtim Gashi e cilësoi nënshkrimin e kalendarit si një ditë të rëndësishme për të dy vendet. “Është ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë.

Ky akt hap rrugë të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh ai. Kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri- Kosovë 2018 dakordëson aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime e edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit; ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve; pjesëmarrje e Kosovës në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit që do të mbahet në Tiranë; projeksione të premierave të pesë filmave, bashkëprodhime të dy qendrave të filmit; AQSHF do të realizojë premierën e filmit pa zë “Balkan Wars” shoqëruar me muzikë ‘live’ nga artisti kosovar Adorel Haxhiaj; bashkëpunime në fushën e librit, mes qendrave të fëmijëve, etj. Një ekspozitë e artistes Flaka Haliti do të sjellë në Galerinë Kombëtare të Arteve veprat e saj bashkëkohore duke shënuar edhe ekspozitën e parë personale të saj në Shqipëri. Ministri Gashi ndër të tjera shfaqi para medias edhe vlerësim për punën e ministres Kumbaro në raport me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ministrja Kumbaro vlerësoi skenën e pavarur të Kosovës. “Ne kemi njohur energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës me të cilën duam të kemi një bashkëpunim, por edhe për të mësuar më shumë sepse skena e pavarur ne Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri si në Kosovë. Në konceptim tim kultura është si lumenjtë, lumenjtë kur kalojnë vijën e ujit nga një vend në tjetrin, nuk pyesin nëse ka kufi dhe as që kanë pasaportë për ta treguar, kështu që unë gjykoj që ne duhet të krijojmë të njëjtin mjedis komunikimi për kulturën, për t’iu lejuar artistëve tanë të zgjerojnë audiencat e tyre”, tha ajo. Protokolli i Bashkëpunimit Shqipëri- Kosovë nënshkruhet për të pestin vit radhazi.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/