Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, në pranverën e vitit 2021

17 QERSHOR 2020

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në pranverën e vitit 2021. Festivali folklorik në edicionin e 11 ishte parashikuar këtë vit gjatë muajit shtator, por zhvillimi i tij në pranverën e vitit 2021 është për shkak të pandemisë. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se festivali është një ngjarje e shumëpritur dhe nuk do të humbasim traditën, por do ti vijë publikut me gjithë madhështinë e tij. “Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është sofra më e madhe e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe një ngjarje e madhe dhe e shumëpritur. Tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas pandemia Covid-19 ngriti pikëpyetje të mëdha mbi zhvillimin e këtij aktiviteti. Ne nuk do ta humbasim traditën dhe festivalin do ja sjellim publikut me gjithë madhështinë e tij. Festivali Folklorik do të zhvillohet në pranverën e 2021. Ju presim në Gjirokastër”, shprehet ministrja e Kulturës, në një status të saj në Facebook, që e ka shoqëruar edhe me një video nga kalaja e Gjirokastrës. Ky festival ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike (të kostumeve popullore, veglave muzikore, ritet dhe zejet, etj) të krijuara prej shekujsh nga populli shqiptar të ndërthurura me vlerat e trashëgimisë kulturore materiale, që ndodhen në qytetin dhe qarkun e Gjirokastrës. Edicioni i dhjetë i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës u mbajt në maj të vitit 2015. Në materialin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike thuhet se festivali, duke qenë monumenti më i madh i trashëgimisë jomateriale, i cili jo vetëm duhet ruajtur si institucion por duhet të jetë i fortë dhe i gjallë që të mund të përcillet e të trashëgohet, ishte më madhështor se kurrë dhe u shndërrua në një nga ndërmarrjet më të mëdha folklorike, kulturore dhe artistike dhe në vend.

Festivali ndër vite

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua për herë të parë në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. Në materialin e QKVF thuhet se ai zhvillohet çdo pesë vjet në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, qendrën historike dhe ambientet e tjera të këtij qyteti. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Festivali shfaq muzikë tradicionale shqiptare, veshje dhe valle nga Shqipëria, diaspora dhe tokat e banuara shqiptare në të gjithë Ballkanin dhe Italinë Jugore. Festivali i vitit 1973 u zhvillua në Gjirokastër 6-12 tetor. Në festival konkurruan 26 grupe sipas rretheve. Festivali i vitit 1978 ishte i treti, në të cilin morën pjesë 1560 këngëtarë popullorë, e që përfaqësonin 26 rrethet e Shqipërisë. Festivali i vitit 1983 u zhvillua në Gjirokastër, prej datës 6-12 tetor 1983. Morën pjesë 1700 festivalistë në konkurrim, që u përzgjodhën nga 70.000 këngëtarë,instrumentistë e valltarë që konkurruan nëpër rrethe të vendit. Festivali i vitit 1988 u përcaktua si festë e madhe e artit popullor. Të paharrueshme për publikun do të ngeleshin edhe ekzekutimet e orkestrinës së Laver Bariut me grupin e Përmetit, grupi i Kolonjës, kënga “Janinës ç’i panë sytë”, etj. Festivali i vitit 1995 ishte i pari festival që “theu” një traditë 40-vjeçare, pasi zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Festivali në vitin 2000 u zhvillua në datat 20-24 shtator dhe rikthehet në kalanë e Gjirokastrës. Festivali Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2004, u zhvillua në ditët e para të tetorit. Festivali i vitit 2009 ishte ndër veprimtaritë e mëdha folklorike të vitit. Edicioni i vitit 2015 u zhvillua nga data 10-16 maj.

Gazeta Sot